Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka thënë se kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj po tenton t’ju hedhë hi syve Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve.
Sipas saj, Haradinaj këtë po e bën me ftesën dërguar Beogradit për takimin e kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në fillim të prillit në Prishtinë.
Bërnabiq ka shtuar se këtë Haradinaj po e bën që mos të ketë kurrë vazhdim të dialogut, transmeton Ballkani.info.
Ajo i ka thënë Tanjugut se nuk ka marrë ftesë për takim, i cili sipas Haradinajt, do të mbahet në fillim të prillit.
“Puna e tij është shumë e lehtë nëse dëshiron të punojë – thjesht ai duhet t’i implementojë marrëveshjet që janë nënshkruar më herët, në mënyrë që ata të tregohen partner të përgjegjshëm në fjalën e të cilëve mund të llogaritet”, ka thënë Bërnabiq.
Sipas saj, Haradinaj para se gjithash duhet të fillojë ta respektojë Marrëveshjen për Stabilizim Asociim dhe Marrëveshjen e CEFTA-s dhe ta heqë taksën për mallrat serbe dhe boshnjake, dhe më pas përfundimisht të nis implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, duke nis nga formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Haradinaj ka paralajmëruar se në fillim të prillit në Prishtinë do të mbahet takimi i kryeministrave të Ballkanit Perëdimor, në të cilin do të jetë edhe kryeministrja e Serbisë. /Ballkani.info/







