Kryeministri premton se shpejt kthehet rryma në Prishtinë, nuk kërkon përgjegjësi nga KEDS’i dhe KOSTT’i

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pasi lagjja “Bregu i Diellit” në Prishtinë ka më shumë se 15 orë pa energji elektrike.

Hoti përmes një postimi në Facebook tha se Ekipet nga KOSTT-i dhe KEDS-i jane duke punuar për të rregulluar prishjen në rrjet që ka shkaktuar mungesën e energjisë elektrike.

“Ekipet nga KOSTT-i dhe KEDS-i jane duke punuar për të rregulluar prishjen në rrjet, që ka shkaktuar mungesën e energjisë në një pjesë të Prishtinës dhe më gjerë. Sipas drejtorit të KOSTT-it dhe drejtorit të KEDS, të cilët janë në teren, shpejt do të evitohet kjo prishje dhe do të normalizohet furnizimi me energji”, ka shkruar Hoti.

Gazeta Express sot gjatë ditës ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala i cili tha se është paraqitur një defekt në një trafo që është në pronësi të KOSTT-it. Prandaj, ata nuk e dinë se kur mund të rregullohet ky defekt.

Ndërsa nga KOSTT thanë se pengesat në furnizim me energji elektrike në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë janë si pasojë e rritjes së konsumit gjë që ka ndikuar në paraqitjen e disa defekteve tek linjat 10kV.

Megjithatë nuk treguan se kur banorët e kësaj lagjeje do të furnizohen me energji elektrike dhe për këtë thonë se duhet të kontaktohet me KEDS-in.