Kryeministri Kurti i pret në qeveri senatorët amerikanë

Kryeministri Albin Kurti ka pritur në qeveri senatorët amerikanë Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Tom Thillis.

Senatorët amerikanë pas takimit me presidenten Vjosa Osmani janë pritur nga kreu i qeverisë.

Kurti në takim ka qenë i shoqëruar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, Saranda Bogujevci e Haki Abazi.

Treshja e senatit në dy ditët e kaluara kanë qëndruar edhe në Beograd e Sarajevë në kuadër të turit ballkanik.

Senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, në një konferencë të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, tha se vizituan kampin Bondsteel për t’u njohur nga afër me situatën e sigurisë në rajon.

“Ne punojmë së bashku për të përkrahur përpjekjet e shteteve si Kosova që janë të interesuar që të anëtarësohen në NATO. Ne ndajmë shqetësimet për situatën e sigurisë në rajon dhe arsyeja që shkuam në Bondsteel ishte që të marrim informacione nga KFOR-i lidhur me sigurinë. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku në idejat dhe sfidat vecanërisht në ambientin e sigurisë në Evropë pas agresionit në Ukrainë. Nuk dëshirojmë që një gjë e tillë të ndodhë diku tjetër në Evropë dhe dëshirojmë që ta shohim se ka marrë fund”, tha ajo.