Viktor Orban

Kryeministri hungarez godet sërish BE-në shkaku Ukrainës

Viktor Orban iu referua edhe një herë punës së institucioneve të Brukselit dhe paraqiti një sërë kritikash për mbështetjen ndaj Ukrainës, e cila realizohet përmes buxhetit të BE-së.

Këtë herë, kryeministri i Hungarisë u përqendrua më së shumti te përfaqësuesit e partive liberale në Parlamentin Evropian, për të cilët tha se shfrytëzuan edhe një herë rastin për të sulmuar Hungarinë.

“Ata duan t’i japin para Ukrainës në katër vjet, ndërsa zgjedhjet evropiane janë vetëm pesë muaj larg. Ata në thelb duan të heqin të drejtat e njerëzve për të marrë vendime për të ardhmen e tyre. Çfarë qëndrimi antidemokratik”, shkroi në platformën X, Orban.

Ky i fundit tha se Hungaria nuk do të pajtohet kurrë me plane të tilla.

“Nëse duam të ndihmojmë Ukrainën, do ta bëjmë jashtë buxhetit të Bashkimit Evropian dhe në baza vjetore. Ky është qëndrimi i vetëm demokratik vetëm pesë muaj para zgjedhjeve”, tha ai.

Ndryshe, përfaqësuesit në Parlamentin Evropian kërkuan nga Këshilli i BE-së që të hetojë mundësinë e privimit të Hungarisë nga e drejta e votës.

Në votimin e së enjtes, shumica e deputetëve mbështetën një rezolutë jodetyruese që u bën thirrje qeverive të 26 vendeve anëtare të përdorin një klauzolë në traktatet e BE-së për të ndërmarrë veprime dhe për të përcaktuar nëse Hungaria ka kryer shkelje serioze të vlerave të BE-së.

Lëvizja e eurodeputetëve nuk ka efekt juridik sepse Parlamenti Evropian nuk mund të vendosë për heqjen e të drejtës së votës nga një vend. Megjithatë, ky është një sinjal i qartë politik për institucionet e tjera të BE-së për pakënaqësinë evidente që është e pranishme brenda institucioneve, e cila në radhë të parë i referohet Hungarisë.

Ndryshe, peticioni i bën thirrje kryetares së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, që të ndërmarrë hapa sipas nenit 7 të Traktatit për Bashkimin Evropian në raport me Hungarinë.

VIDEO BONUS: Avokati serb, Çedomir Stojkoviq në Prekaz i sheh për herë të parë ato që kanë mbetur nga krimi serb