Kryeministri Hoti njofton ambasadorët për dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një bisedë virtuale me ambasadorët e BE-së, në të cilën është diskutuar për situatën e përgjithshme në vend.

Hoti, me këtë rast, ka falënderuar ambasadorët e vendeve mike për ndihmën dhënë Kosovës në përballimin e situatës me pandeminë COVID-19. Në të njëjtën kohë, ai ka shprehur përkushtimin e Qeverisë për parandalimin dhe menaxhimin sa më efikas të kësaj pandemie, si dhe për rimëkëmbjen ekonomike si pasojë e saj.

“Ndihma e vendeve partnere dhe institucioneve ndërkombëtare ka dhënë efekte pozitive dhe presim që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha Hoti.

Në këtë takim, kryeministri Hoti i ka njoftuar ambasadorët për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se Qeveria pret që ky proces të përmbyllet me marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese, që përfundon me njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve.

Gjatë kësaj bisede, kryeministri Hoti theksoi faktin se liberalizimi i vizave do të hapte një mundësi reale për qytetarët dhe bizneset e Kosovës dhe do të krijonte mundësi të reja të zhvillimit ekonomik të vendit.