Kryeministri Haradinaj liron nga detyra e këshilltarit, Sylejman Selimin

Kryeministri Ramush Haradinaj ka njoftuar sot se e ka liruar nga detyra këshilltarin e tij politik, gjeneralin, Sylejman Selimi.

“Kam liruar nga detyra e këshilltarit politik Sylejman Selimin, me kërkesen e tij. Zotin Selimi e falenderova për kontributin e deritashëm në Zyrën time politike”, ka shkruar Haradinaj.

Emërimi i Selimit si këshilltar ishte kritikuar nga ambasada amerikane dhe britanike në Kosovë.

Ata kishin vlerësuar se një i dënuar për krime lufte nuk duhet të jetë pjesë e politikës.

Po ashtu, pas raportimit të Ballkani.info se Selimi do të emërohet ambasador i Kosovës në Shqipëri, pati reaguar ambasada amerikane, duke kërkuar që një emërim i tillë mos të ndodh, pikërisht për arsyen e lartëpërmendur. /Ballkani.info/