Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë, ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur edhe për zhvillimet e fundit në Samitin e Berlinit.
Haradinaj ka thënë se dëshiron të theksojë edhe një informatë të rëndësishme nga takimet që ka pasur atje.
“Gjatë ecjes me Ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, kemi marrë një ‘Po’ të menjëhershme për vizat. Kjo nuk është ‘po’ e analistëve por e një njeriu që është në pozitë të flasë në emër të Gjermanisë. Ai është treguar i vendosur se sapo të merret vendimi nga Këshilli i Evropës, personat e caktuar për punët teknike të mos humbin asnjë ditë, pra kjo kërkesë ka qenë aty për aty që ky grup të formohet”, ka thënë Haradinaj, përcjell Ballkani.info.
Tutje, kryeministri ka thënë se ai e di se çfarë po flet dhe se të njejtën gjë e kishte thënë për formimin e Ushtrisë së Kosovës, por kishte pasur edhe skeptik nga opinion publik.
“Unë edhe kur kam thënë që kemi ‘Po’-në për formimin e ushtrisë, ka pasur nga ata që nuk e kanë besuar, kështu që po ju them prap për viza dhe krejt çfarë më mbetet është t’iu them urime vizat”, përfundoi Haradinaj. /Ballkani.info







