Kryeministri Haradinaj i prekur nga rrëfimi i viktimës së dhunës seksuale

Viktima e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi publikisht për herë të parë ka rrëfyer pa e mbuluar fytyrën e as ndryshuar zërin.
Rrëfimi i saj ka prekur shumë kënd që e ka dëgjuar e edhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj në një postim në facebook ka përgëzuar Vasfijen që ka vendosur të flas për një nga plagët e luftës.

Derisa, ka theksuar që guximi i saj të jetë udhërrëfyes për viktimat e tjera të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Pasi e dëgjova me vëmendje rrëfimin sa prekës aq edhe inkurajues të Vasfije Krasniqit, e përgëzoj këtë grua të guximshme që ka vendosur të flas hapur për njërën prej plagëve më të mëdha të popullit tonë. Guximi i saj le të jetë udhërrëfyes për viktimat e shumta të dhunës seksuale gjatë luftës, që të ngriten mbi dhimbjen dhe me dëshmitë e tyre të dokumentojnë krimin, që të ngadhnjejë drejtësia. Së bashku, duke inkurajuar viktimat dhe familjet e tyre, do të heqim stigmatizimin që ka rënduar kaq vite mbi to”, ka shkruar Haradinaj.