Kryeministri: Batalioni “Atlantiku”, tregimi më kuptimplotë për luftëtarin shqiptar ndër breza

Kryeministri Ramush Haradinaj ka takuar sot gjatë ditës delegacionin e Batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shefi i Qeverisë ka thënë se ishte nder i jashtëzakonshëm t’i takonte ish-pjesëtarët e këtij batalioni derisa ka shtuar se ata e kanë lënë jetën e tyre të ndërtuar larg Kosovës për t’iu përgjigjur thirjes së atdheut.

“Ata e braktisën jetën e ndërtuar përtej Atlantikut, për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut. Batalioni “Atlantiku” është tregimi më kuptimplotë për luftëtarin shqiptar ndër breza, që sakrifikon gjithçka për t’iu bërë gurthemel lirisë”.

“Nder i jashtëzakonshëm t’i prisja përfaqësuesit e këtij Batalioni që u rikthyen në vendin e tyre të origjinës, për shënimin e 20-vjetorit të themelimit, për t’u përulur tek varret e vëllëzërve të tyre të armës, rënë në luftën çlirimtare”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai ka thënë po ashtu se u jemi mirënjohës përjetësisht shqiptaro-amerikanëve që dhanë kontributin e tyre në luftë, por edhe në liri – në forcimin e miqësisë së përhershme me SHBA-në.