Kryemadhi hedh dyshime se Rama mund të jetë nxitësi i akuzave nga Haga kundër Thaçit e Veselit

Kryetarja e LSI-së në Shqipëri, Monika Kryemadhi ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama pas vizitës së tij në Kosovë.

Kryemiadhi ka thënë se Rama e cenoi integritetin e Kosovës. Në një intervistë në “5 pyetje nga Babaramo”, Kryemadhi ka ngritur dyshime se Rama mund të jetë nxitësi i aktakuzës së Prokurorit të Specializuar në Hagë kundër Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

“Unë shqetësohem për Hashim Thaçin e Kadri Veseli ashtu siç jam shqetësuar edhe për Haradinaj dhe ushtarët e UÇK-së dhe jam me ata që e kanë lartë atë tokë me gjak për lirinë dhe i dolën për zot Kosovës atëherë kur nuk i dilte për zot asnjë. Frikë nuk kam për ta, pasi falë tyre kemi një shtet të ri e të pavarur. Sa herë Rama shkon në Kosovë, ka diçka. Mos vallë Rama është nxitësi i akuzave ndaj Thaçit e Veselit? Ndoshta dhe këtë mund ta bëjë për të konfiguruar figurën e tij si lider në Ballkan. Vizita e Ramës në Kosovë cenoi integritetin”, tha Kryemadhi.