Kryeinspektori jep detaje për vdekjen e 21 vjeçarit në vendin e punës

Kryeinspektori i punës, Basri Ibrahimi ditën e djeshme nuk ishte lejuar të hynte në kompaninë Lab Oil, për të inspektuar vendin e ngjarjes ku vdiq 21 vjeçari nga Suhareka, Krenar Jemini.

Kompania kishte thënë se janë në ditë zie dhe se askush nga stafi nuk është në vendin e punës.

Në një prononcim për Ballkani.info, Ibrahimi ka thënë se inspektimet kanë filluar ditën e sotme në kompaninë ku ka ndodhur rasti.

“Sot kemi pasur çasje në kompani dhe kemi shkuar në vendin ku ka ndodhur rasti. Inspektorët kanë filluar inspektimet, por njëherë nuk mund të flasë për dyshimet sepse duhet të marrë informata që t’i vlerësojmë”, ka thënë Ibrahimi.

Kryeinspektori Ibrahimi nuk ka qenë i sigurt nëse më herët e kanë inspektuar kompaninë Lab Oil.

“Pamjet e vendit të ngjarjes janë marrë që në ditën e parë kur ka ndodhur rasti. Në vendin e ngjarjes kanë dalur policia, prokuroria dhe inspektori i punës. Nuk e di nëse e kemi inspektuar më parë këtë vend andaj nuk mund të jap informatë të saktë pa shikuar në databazë”, tha Ibrahimi për Ballkani.info.

Sipas drejtorit të kompanisë së derivateve ‘Lab Oil’, Bislim Muça vdekja e të riut ka qenë aksidentale.

“Ngjarja që ka ndodhur ka qenë aksidentale. Sipas të gjitha gjasave, përderisa i ndjeri ishte duke punuar ka rrëshqitur me ç’rast ka tentuar të mbahet në shiritin transportues, gjë kjo që ka qenë fatale për të”, ka thënë Muça për Ballkani.info.

Kujtojmë se pronari i kompanisë Lab Oil, Bislim Muça dje ka thënë se kompania do të marrë përsipër shpenzimet e ceremonisë mortore dhe kompenzimet e tjera ndaj familjes. /Ballkani.info