Pheniani do të qëndrojë pranë Rusisë deri në “fitoren” e saj në Ukrainë, tha shefja e diplomacisë së Koresë së Veriut, Choe Son Hui, më 1 nëntor në Moskë.

“Nuk ka dyshim se nën udhëheqjen e mençur të presidentit të respektuar rus Vladimir Putin, ushtria dhe populli rus do të fitojnë një fitore të madhe”, tha ministrja e jashtme e Koresë së Veriut, sipas përkthimit rus të deklaratës së saj, transmeton AFP.

Këtë deklaratë ajo e bëri në një takim me shefin e diplomacisë ruse, Sergej Lavrov.

“Ne konfirmojmë përsëri se do të jemi gjithmonë në anën e shokëve tanë rusë, deri në ditën e fitores”, tha ajo.

Choe Sun Hui ndodhet në Moskë pasi zyrtarët amerikanë thanë, bazuar në inteligjencën amerikane, se rreth 8,000 ushtarë të Koresë së Veriut ndodhen aktualisht në Rusi në rajonin kufitar Kursk, nga ku do të dislokohen në Ukrainë.