Kryediplomati finlandez, për vizat: Ka lobim kundër Kosovës në Bruksel

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur në Prishtinë, homologun nga Finlanda, Pekka Havisto, shtet ky i cili tashmë ka në dorë edhe çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, meqenëse kryeson me Presidencën e Bashkimit Evropian, shkruan Gazeta Express.

Lidhur me këtë çështje Haavisto ka thënë se shteti i tij është duke punuar, megjithatë ka specifikuar se heqja e regjimit të vizave për Kosovën është çështje që i takon Këshillit Evropian.

“Ju gjithashtu përmendet edhe çështjen e vizave. Ne kemi qenë duke punuar, por sigurisht që është punë e Këshillit Evropian. Por ne po punojmë për këtë çështje”, ka thënë ministri finlandez.

Tutje ai ka folur edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për taksën, duke shprehur pakënaqësinë e shtetit të tij për ngecjen e proceseve.

Ai ka thënë se Finlanda mbështet plotësisht rikthimin sa më të shpejtë në dialogun për normalizim të raporteve.

“ Kemi edhe disa çështje të cilat ju i përmendet e në të cilat ndoshta nuk është avancuar aq shumë sa kemi pritur. Sa i përket bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, keni mbështetjen tonë të plotë për vazhduar bisedimet sa më shpejtë”, ka thënë ai.

Tutje ministri finlandez ka folur edhe për lobimin e Serbisë kundër shtetësisë së Republikës së Kosovës.

“Neve nuk na pëlqen fakti që ata po lobojnë kundër jush. Në disa kontekste është e papranueshme”, ka thënë diplomati finlandez, raporton Gazeta Express.

Haavisto gjithashtu ka pasur disa fjalë edhe për taksën 100 për qind të vendosur nga Kosova për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“Jemi të shqetësuar pak edhe për tarifën tuaj”, ka potencuar ministri finlandez.

Ndërsa Behxhet Pacolli ka thënë se ka marrë mbështetjen nga ministri se Finlanda do të ndihmojë Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave.

“Kosova është duke punuar në procesin e stabilizim- asociimit dhe e njoftova për marrëdhëniet e BE-së sa i përket liberalizimit të vizave. Më tha në takim kolegu im se do të angazhohet që në mënyrë korrekte që kosovarët të lëvizin lirshëm. Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në përshpejtimin e kushteve që iu janë vë Kosovës dhe jemi duke punuar në këtë drejtim”, ka thënë Pacolli.

Tutje Pacolli ka treguar se e ka njoftuar homologun finlandez edhe me situatën aktuale dhe zhvillimet e brendshme politike.

“Ju e dini se Finlanda ka marrë presidencën e BE-së dhe ne kishim një takim edhe më herët. Jam i lumtur që homologu im vizitoi Kosovën dhe mund të them se marrëdhëniet tona janë të mira. Nuk kemi asnjë problem që mund ta dëmtojë këtë marrëdhënie. Kemi nënshkruar disa marrëveshje dhe kemi filluar disa nisma dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. E njoftova kolegun tim për procesin zgjedhor dhe po ashtu e njoftova se Qeveria e ardhshme do të jetë shumë më e kujdesshme në krijimin e kushteve për të filluar dialogu më Serbinë dhe të përfundojë ky proces me njohje reciproke”, është shprehur tutje Pacolli.

loading…