Kronologjia e zhvillimeve më të rëndësishme të vitit 2018 (VIDEO)

Ballkani.info sjellë përmbledhjen e ngjarjeve kryesore që kanë karakterizuar vitin 2018.

Janar

– Vrasja e politikanit serb, Oliver Ivanoviq nga dy atentatorë në Mitrovicën veriore.

Policia e Kosovës në muajin dhjetor kishte zhvilluar një aksion të gjerë në veri të Mitrovicës, ku u arrestuan 3 persona të dyshuar si bashkëpuntor në vrasjen e Ivanoviqit, ndërsa i dyshuari kryesor nga Policia, Millan Radojçiq ka arritur të arratisej dhe për momentin vazhdon të mbrohet nga shteti serb i cili nuk ka pranuar që t’ia dorëzojë organeve kompetente në Kosovë.

I dyshuari kryesor i cili gjendet në arrati dhe po mbrohet nga Serbia.

– Lëvizja Vetëvendosje ndahet në dy parti. Anëtarë të shumtë të Lëvizjes, kalojnë në Partinë Social Demokrate, përfshirë këtu edhe ish kryetarin e LVV, Visar Ymeri. Momentalisht, PSD-ja në Kuvend ka 12 deputetë, ndërsa Lëvizja ka mbetur me 19 deputetë.

Shkurt

– Shënimi i 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Kosova është shpallur shtet i pavarur më 17 shkurt në vitin 2008.

Me rastin e 10 vjetorit, këngëtarja me famë ndërkombëtare me prejardhje nga Kosova, Rita Ora është ftuar të mbajë koncert në Prishtinë. Në koncert ishin të pranishëm rreth 300.000 qytetarë.

Mars

– Arrestimi i Shefit të Zyres për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Gjuriq ishte arrestuar në veri të Mitrovicës pasi kishte hyrë në territorin e Kosovës pa leje. Pas dërgimit në mbajtje, Gjuriq ishte depertuar në Serbi.

– Kuvendi i Kosovës miraton demarkacionin me Malin e Zi. Demarkacioni kaloi pas disa muajsh bllokadë nga opozita. Marrëveshja u votua pro nga 80 deputetë ndërsa votuan kundër 11 deputetë. Demarkacioni gjithashtu ishte kushti i fundit nga Bashkimi Evropian për liberalizim të vizave.

Prill

– Aksidenti me fatalitet i dy policëve në detyrë, Malësor Dashi dhe Armend Trena. Dy policët ishin aksidentuar gjatë lëvizjes me veturë zyrtare përgjatë autostradës Kaçanik-Hani i Elezit dhe kishin rënë në humnerë në lumin Lepenc. Zhytësit e njesive përkatëse dhe trupa të FSK-së kishin kërkuar gjatë gjithë natës për gjetjen e trupave të policëve të aksidentuar. Trupi i njërit polic ishte gjetur pas 5 ditëve kërkim rreth 5 kilometra nga vendi ku kishte rënë vetura. Trupi i Armend Trenës ishte gjetur pas 7 ditëve kërkim gjithashtu në territor të Kosovës, rreth 6 kilometra largësi nga vendi i aksidentit.

Hetimet për rastin ishin zgjeruar edhe në Maqedoni, pasi kishte pasur dyshime se rrjedha e ujit ka mundur ti bartë trupat. Rrethanat se si ka ndodhur aksidenti, kishin mbetur të paditura.

Maj

– Drejtuesi i sulmeve ajrore të NATO-s në vitin 1999 në Kosovë kundër forcave serbe, Wesley Clark viziton Kosovës. Gjenerali Clark u prit në takim nga Kryeministri Haradinaj, ku u bisedua edhe për tranzicionin e FSK-së në Ushtri.

– Përpjekjet e Qeverisë së Kosovës, që të bëjnë transformimin e FSK-së në Ushtri përmes ndryshimeve Kushtetuese, nuk përkrahen nga deputetët e Listës Serbe. Kuvendi duhej të siguronte 2/3 e votave të Kuvendit përfshirë këtu edhe votat e pakicës serbe, e cila refuzonte kategorikisht formimin e Ushtrisë së Kosovës. Ministria e FSK-së, në koordinim me Qeverinë e Kosovës zgjedhin një plan rezervë për transformimin e Ushtrisë, kësaj radhe përmes ligjeve të cilat do të votoheshin në Kuvend duke zgjeruar kompetencat e FSK-së.

Qershor

– Vdes Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vorri. Ikona e futbollit kosovar, Fadil Vokrri kishte ndërruar jetë më 11 qershor të vitit 2018, pas disa komplikimeve shëndetësore.

Lajmi kishte tronditur qytetarët kosovarë. Vokrri ishte varrosur me nderime të larta, ku morrën pjesë përfaqësues të shumtë politikë.

– Më 12 qershor 2018, shënohet 19 vjetori i zbarkimit të trupave të KFOR-it në Kosovë në vitin 1999, për parandalimin e spastrimit etnik nga forcat serbe ndaj popullatës civile shqiptare.

Korrik

– Eurodeputetja dhe raportuesja për liberalizim të vizave me Kosovës në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon deklarohet optimiste për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Komisioni Evropian kumton rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave.

– Vdes veprimtari i shquar shqiptar, Adem Demaçi në moshën 82 vjeçare. Demaçi është varrosur me nderime të larta nga shteti i Kosovës, në lagjen Velania, disa metra largë nga ish-presidenti Rugova.

Gusht

– Presidenti Thaçi për herë të parë flet publikisht për idenë e shkëmbimit të territorit me Serbinë. Marrëveshja përfundimtare me Serbinë ishte diskutuar kohë më parë, por në muajin gusht Thaçi u deklarua publikisht për këtë temë, duke theksuar se nuk po bënte ndarje të Kosovës por ‘korrigjim të kufijve’, duke kërkuar kështu bashkangjitjen e luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me shtetin e Kosovës.

– Vdes ish sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan në moshën 80 vjeçare. Kofi Annan kishte shërbyer si sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara prej vitit 1997 deri në vitin 2006. Annan, i cili kishte fituar çmimin Nobel për paqe, kishte vizituar edhe kampin e kosovarëve në Kukës në vitin 1999.

– Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj i cili ishte duke hetuar listën e veteranëve të rrejshëm të UÇK-së, që supozohej se po përfitonin ilegalisht nga pensionet e veteranëve, dha dorëheqje dhe udhëtoi për në Amerikë. Rasti kishte ngjallur reagime të shumta, pasi që sipas Blakaj-t, ai ishte kërcënuar dhe shantazhuar vazhdimisht.

Shtator

– Shënohet 17 vjetori i sulmeve terroriste ndaj kullave binjake në SHBA. Qeveria e Kosovës organizon një memorial ku marrin pjesë zyrtarë të lartë shtetëror.

– Bëhet betimi i kadetëve të rinjë të FSK-së. KFOR-i gjerman i dhuron FSK-së automjete dhe pajisje të tjera ushtarake.

– Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi viziton liqenin e Ujmanit. Vizita e tij ishte përcjellur me reagime të shumta nga zyrtarë të lartë shtetëror serb, që vizitën e Thaçit e kishin konsideruar si provokim.

Tetor

– Qeveria e Kosovës ndan 1.5 milionë euro për të lobuar për shtetin e Kosovës në përpjeken e saj për tu antarësuar në INTERPOL.

– Votohen tri projektligjet për transformimin e Forcës së Sigursë së Kosovës në Ushtri. Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar 3 projektligjet për transformimin e FSK-së. Transformimin e FSK-së e votuan të gjitha grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Nëntor

– Këshilli i Sigurimit të OKB-së mban mbledhjen ku u diskutua për progresin e Kosovës si shtet. Kosova u përfaqësua nga ambasadorja kosovare në Uashington, Vlora Çitaku. Çitaku kishte theksuar se UNMIK-u në Kosovë kishte kryer misionin e paraparë dhe se duhej të mbyllej, deklaratë kjo që ishte përkrahur edhe nga përfaqësuesi i SHBA-së.

– Xhudistja nga Kosova, Majlinda Kelmendi fiton medaljen e artë në Uzbekistan.

– Kosova dështon në përpjekjen e saj për tu antarësuar në INTERPOL. Kosova në votimin e parë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Interpol-it kishte marrë 76 vota pro, 56 kundër dhe 22 abstenime. Në votimin e dytë, Kosova morri 68 vota pro, 51 kundër dhe 16 abstenime, me ç’rast nuk kishte fituar votat e nevojshme për anëtarësim.

– Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e Qeverisë me propozim të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shalës, merr vendim për taksën 100% ndaj produkteve të prodhuara dhe të importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Ky vendim kishte ardhur si pasojë e mos reciprocitetit nga ana e dy shteteve të cilat ende nuk kanë njohur statusin e Kosovës si shtet i pavarur.

Dhjetor

– Xhudistet nga Kosova, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova lartësojnë flamurin e Kosovës në Kinë, me ç’rast kualifikohen në ‘World Masters’.

– Votohen në leximin e dytë projektligjet për transformimin e FSK-së në Ushtri. Kosova bëhet zyrtarisht me Ushtri.

– Arrin kontigjenti i parë me automjete të blinduara ushtarake nga SHBA për Ushtrinë e Kosovës.

– Rusia i dërgon kërkesë për mbledhje urgjente presidentit të Këshillit të Sigurimit, pas formimit të Ushtrisë në Kosovë. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, Kosova u përfaqësua nga Presidenti Thaçi. Kosova morri përkrahje nga shtetet anëtare për Ushtrinë, duke e konsideruar një veprim legjitim.

– Presidenti Thaçi, Kryeministri Haradinaj dhe Kryeparlamentari Veseli, së bashku bëjnë inspektimin e Ushtrisë së Kosovës.

https://www.youtube.com/watch?v=sRiaO2-KWeg&feature=youtu.be&fbclid=IwAR3gXrO1zocZJ9gcVAdl8uCt1cV-C51Tm1gz38Be9dxZH4D7SHj9rPLjdzI