Kronologjia e marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë, cilat u zbatuan e cilat jo

Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia, me dialog të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kanë arritur dhjetëra marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Zbatimi i marrëveshjeve, qoftë teknike apo politike, shpesh është bllokuar, duke bërë që të dyja palët të takohen disa herë për t’u pajtuar sërish për zbatimin e tyre.

Së voni, dy shtetet – përmes atij që njihet si propozim i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve – janë dakorduar sërish që t’i zbatojnë “të gjitha marrëveshjet e dialogut nga e kaluara”.

REL ka bërë një përmbledhje në pika të shkurtra se cilat marrëveshje janë zbatuar e cilat jo, dhe si ka ndikuar kjo në jetën e qytetarëve.

Kronologjia e dialogut

Mars 2011 – Nis dialogu teknik

Tetor 2012 – Takimi i parë i nivelit politik

Prill 2013 – Marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve

Gusht 2015 – Nënshkruhet pakoja e marrëveshjeve për normalizim të marrëdhënieve

Mars 2017 – Kuvendi i Kosovës pezullon dialogun pas arrestimit të kryeministrit të atëhershëm, Ramush Haradinaj, në Francë, për shkak të një fletarrestimi të Serbisë, që e trajtonte si të dyshuar për krime lufte

Korrik 2017 – Dialogu politik rinis në nivel presidentësh

Janar 2018 – Vazhdon dialogu teknik në mes të kryenegociatorëve të të dyja vendeve

Janar 2018 – Serbia tërhiqet nga bisedimet pas vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq

Shkurt 2018 – Palët rikthehen në bisedime duke kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri atëherë

Korrik 2020 – Rinis dialogu politik me takim të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Shkurt 2023 – Kosova dhe Serbia pajtohen me përmbajtjen e propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve

18 mars 2023 – Pritet takimi për të diskutuar zbatimin e propozimit evropian

Marrëveshjet kryesore të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë:

2011- Marrëveshja për lirinë e lëvizjes

2011 – Marrëveshja për regjistrin civil

2011 – Marrëveshja për vulat doganore

2011 – Marrëveshja për regjistrat kadastrorë

2011 – Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit

2011 – Marrëveshja për njohjen e diplomave universitare

2012– Marrëveshja për përfaqësim dhe bashkëpunim rajonal

2012 – Marrëveshja për zyrtarët ndërlidhës

2013 – Marrëveshja për zgjedhjet lokale dhe funksionimin e katër komunave veriore në Kosovë

2013 – Marrëveshja për integrimin e policisë

2013 – Marrëveshja për shpërbërjen e “Mbrojtjes civile”

2013 – Marrëveshja për drejtësi

2013 – Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë

2013 – Marrëveshja për telekomunikacion

2013 – Marrëveshja për energji

2015 – Marrëveshja për rivitalizimin e Urës së Ibrit në Mitrovicë

Përshtypjet e qytetarëve
Shkodran Azizi nga Presheva, qytet në Serbi, braktisi profesionin e tij si mësimdhënës i Gjuhës Angleze në Serbi, në vitin 2018.

Ai diplomoi në Universitetin e Prishtinës në Kosovë, në vitin 2012. Mirëpo, këtë diplomë, pas disa vitesh, nuk ia njohu Serbia.

E arritur në vitin 2011, Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të diplomave mes Kosovës dhe Serbisë u zbatua për disa vite, përmes certifikimit të diplomave nga Asociacioni Evropian i Universiteteve.

Në vitin 2014, Gjykata Kushtetuese në Serbi konstatoi se njohja e diplomave të marra në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë më 2008, është në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë.

Nga viti 2017, Shkodrani filloi të paguhej më pak si mësimdhënës, pasi në Serbi i njihej vetëm shkollimi i mesëm.

Kështu, pasi jetoi disa vite në Kosovë, ai u shpërngul në Gjermani, ku tani punon si kamerier.

Qeveria e Kosovës tha në një raport të vitit 2021 se procesi i certifikimit të diplomave ka mbetur “i ngrirë”.

“Ka qenë mjaft vështirë që pas gjashtë vjetësh e gjysmë pune dhe kontributi që kam dhënë në Luginën e Preshevës, ta ndaloj atë, shkaku i një diskriminimi të padrejtë e të pasinqertë”, thotë Shkodran Azizi, qytetar i komunitetit shqiptar në Preshevë.

Integrimi i komunitetit serb në Kosovë

Çështja e integrimit të serbëve të Kosovës u përfshi në disa marrëveshje, të arritura kryesisht më 2013 dhe 2015.

Ato përfshijnë krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, integrimin e serbëve të Kosovës në strukturat e policisë dhe në sistemin e drejtësisë, shpërbërjen e strukturave paralele të udhëhequra nga Serbia e të tjera.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk u themelua asnjëherë nga Kosova.

Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se Marrëveshja për Asociacionin nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

“[Themelimi i Asociacionit] do të na sillte një siguri dhe pavarësi”, thotë Dushani, një qytetar nga Mitrovica e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës – i intervistuar më 27 shkurt 2023.

Integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës, si: polici, sistem i drejtësisë dhe administratë, shënoi kthim prapa.

Energjia: Edhe një marrëveshje e pazbatuar
Në vitin 2013, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Energjinë, që synonte rregullimin e furnizimit dhe faturimit të rrymës në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Pas nëntë vjetësh, më 2022, u nënshkrua një udhëzues për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Por, zbatimi i marrëveshjes ngeci, pasi kompania serbe, Elektrosever, nuk i respektoi disa nga obligimet e udhëzuesit.

Kështu, qytetarët në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – vazhdojnë të mos e paguajnë rrymën e shpenzuar. Koston e tyre e mbulon buxheti i Kosovës. Kjo gjendje vazhdon nga viti 1999.

“Një pjesë bukur të madhe të fajit për moszbatimin e Marrëveshjes [për Energjinë] e ka vetë Brukseli, që ka dërguar sinjale të gabueshme tek Elektroseveri, përmes interpretimeve të gabueshme të neneve, që nuk kanë të bëjnë asgjë më udhërrëfyesin”, deklaroi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, më 8 shkurt 2023.

Ku kishte progres?
Marrëveshja për regjistrin civil – Përmes marrëveshjes së arritur më 2011, Serbia i dorëzoi Kosovës 12.036 kopje të librave të regjistrit civil, që ishin marrë gjatë kohës së luftës së vitit 1999.

Marrëveshja për zyrtarët ndërlidhës – Pas marrëveshjes së vitit 2013, Kosova dhe Serbia krijuan zyra ndërlidhëse në shtetet përkatëse.

Marrëveshja për telekomunikacion – U arrit më 2015. Kosova tani ka kodin e vet telefonik +383, i ndryshëm nga ai i Serbisë.

Marrëveshja që prodhoi trazira në veri
Marrëveshja për lirinë e lëvizjes ishte ndër të parat që u arrit në dialogun teknik, në vitin 2011. Parashihte që qytetarët e të dyja vendeve të mund të udhëtonin lirshëm te njëri-tjetri, pasi do të njiheshin dokumentet zyrtare.

Mes tjerash parashihej që të largoheshin nga përdorimi dokumentet e lëshuara nga institucionet paralele në komunat e banuara me shumicë serbe, përfshirë targat e veturave me akronime të qyteteve të Kosovës, që përdoren kryesisht në komunat veriore.

Kjo shkaktoi trazira dhe inicioi largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës. Më vonë, gjatë vitit 2022, situata u keqësua dhe për tri javë rresht rrugët që çonin në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë u bllokuan. Pas ndërhyrjes së BE-së, vendimi i Qeverisë së Kosovës u pezullua deri në një marrëveshje të ardhshme.

Marrëveshja origjinale parashihte vendosjen e letrave ngjitëse mbi simbolet nacionale në targat e lëshuara nga të dyja vendet. Kjo pikë nisi të zbatohej në vitin 2022.

Një analizë e Institutit Demokratik të Kosovës (IKD) për dialogun Kosovë-Serbi, e publikuar në vitin 2022, vlerësoi se “mungesa e transparencës e ka karakterizuar pothuajse gjithmonë procesin e dialogut Kosovë-Serbi”.

“Deri në qershor të vitit 2021, qeveritë (e Kosovës ndër vite) kanë publikuar raporte të gjendjes së zbatimit të marrëveshjeve të dialogut, por që nga ajo kohë, një raport i tillë nuk është bërë më publik. Në këtë situatë nuk ka mjaftueshëm informacione se cili është statusi i gjendjes së zbatimit të marrëveshjeve të dialogut”, thotë Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (IKD).

Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk parasheh njohje të ndërsjellë de jure nga Kosova dhe Serbia.

Megjithatë, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë thënë se kjo marrëveshje e ndërmjetme është më e mira që mund të arrihet në këtë moment për të dyja vendet./REL