Kroatët dhe shqiptarët përkujtojnë dëshmorët e luftës kundër forcave serbe në Bogdanovac

Nën patronimin e presidentes së Republikës së Kroacisë znj. Kolinda Grabar Kitaroviq, shoqata shqiptare e mbrojtësve të Luftës Atdhetare në Kroaci, së bashku me komunën e Bogdanovcit organizuan shënimin e përvjetorit për 87 dëshmorët shqiptarë dhe 136 dëshmorë e civilë nga Bogdanovci të vrarë në Luftën Atdhetare në Kroaci.

Në këtë përkujtim prezent ishin: I deleguari i presidentes së Republikës së Kroacisë, këshilltari për veteran z. Ante Deur, nga Ministria e Veteranëve të Kroacisë, zëvendës Ministri z. Stjepan Suçiq, krytari Unionit shqiptar në RK z.Esad Çollaku,kryetar i komunës së Bogdanovcit z. Marko Barun, atasheu ushtarak i FSK-së Kolonel Skender Haxha, nga Kosova anëtari i familjes Jashari, z. Lulzim Jashari, delegacioni i veteranëve të UÇK-së nga Republika e Kosovës: z. Ahmet Zabeli, z. Gani Bekaj, z. Abedin Gashi, etj.

Në ora 10:00, para përmendores janë bërë homazhe duke vendosë kurora lulesh për 87-të dëshmorët shqiptarë të Kroacisë dhe 136-të viktimat e luftës. Me këtë rast është më se e nevojshme të theksohet fakti se, përveç mbrojtësve shqiptar, po ashtu qyteti i Bogdanovcit e në veçanti civilët, kanë përjetuar vuajtje të pa përshkruara nga agresori serb.

Prandaj, shënimi i këtij përvjetori së bashku me qytetin e Bogdanocit, vetëm sa e madhështon këtë përkujtim për të vrarët në Luftën Atdhetare në Kroaci.

Ajo që e shënoi përkujtimin, ishte fjalimi i të deleguarit të presidentes së Republikës së Kroacisë znj. Kolinda Grabar Kitaroviq, këshilltari për veteran Ante Deur, i cili foli me shumë emocione për ngjarjet e luftës në këtë hapësirë, ai shprehi vlerësimin në mënyrë të veçantë për kontributin e mbrojtësve shqiptar në Kroaci gjatë Luftës Atdhetare, duke theksuar se populli i Kroacisë dhe institucionet shtetërore të Kroacisë, e çmojnë shumë kontributin e tyre.

“Këto vlerësime të larta për mbrojtësit shqiptar në Kroaci, na bëjnë krenarë ne si pjesëtarë të pakicës tonë kombëtare në Kroaci, për këta burra të mëdhenj”, thuhet në fund të njoftimit të Shoqatës shqiptare të mbrojtësve të Luftës Atdhetare në Kroaci. /Ballkani.info/

loading…