M2A2

Kroacia përforcohet edhe më shumë ushtarakisht, tanket e para amerikane Bradley arrijnë në Rijekë

Kontingjenti i parë i mjeteve luftarake të këmbësorisë amerikane “Bradley” M2A2 (tanke të fuqishme) për Forcat e Armatosura Kroate mbërriti në Rijekë mëngjesin e sotëm, njoftoi Ambasada Amerikane në Zagreb në rrjetet sociale.

Bëhet fjalë për 22 nga gjithsej 89 mjete luftarake që në periudhën e ardhshme duhet të zëvendësojnë automjetet e prodhuara në ish-RSFJ, transmeton Ballkani.info.

“Kjo platformë e fuqishme do të forcojë kapacitetet e Ushtrisë Kroate, pozicionin e mbrojtjes së NATO-s në rajon dhe do të ofrojë mundësi të përmirësuara për Ushtrinë Kroate për trajnim dhe partneritet me Forcat e Armatosura të SHBA-së”, thuhet në një deklaratë në profilin zyrtar në rrjetin social X (dikur Tëitter).

Mjetet luftarake do të transportohen në fabrikën për automjete speciale “Gjuro Gjakoviq” në Slavonski Brod, ku do të restaurohen plotësisht. Procesi i gjerë i restaurimit do të përbëhet nga grupi i fuqisë së automjetit, instalimi i sistemeve të reja të armëve, lyerja dhe inspektimi, tha ambasada.

Pas kësaj, stafi i “Gjuro Gjakoviq” do të trajnohet dhe pajiset për mirëmbajtje afatgjatë të automjeteve, si dhe do të ketë mundësi për të punuar në automjetet Bradley nga vendet e tjera partnere.

Njoftimi thotë se Gjuro Gjakoviq u zgjodh për shkak të ekspertizës së tij teknike dhe reputacionit të fortë të kompanisë.

I ngarkuari me punë Mark Fleming vlerësoi se blerja e “Bradley” shënon një tjetër investim kyç të përbashkët amerikano-kroat në mbrojtjen dhe sigurinë kolektive kroate si aleatë të ngushtë të NATO-s.

“Ne e vlerësojmë thellësisht partneritetin tonë të ngushtë me qeverinë kroate në këtë projekt të rëndësishëm për të mirën e vendeve tona,” tha Fleming.

Deklarata shtoi se SHBA “me krenari mbështesin programin Bradley të Kroacisë dhe angazhimet e përbashkëta në aleancën e NATO-s”, si dhe se ata dhanë pothuajse 57 milionë dollarë ndihmë ushtarake të pakthyeshme për atë program për të rritur shpenzimet e Kroacisë prej 145.2 milionë dollarësh.

Ai gjithashtu shton se Garda Kombëtare e Minesotës do të ndihmojë Kroacinë në ndërtimin, mirëmbajtjen dhe integrimin e aftësive të automjeteve Bradley përmes nismave afatgjata të Programit të Partneritetit Shtetëror me ushtrinë kroate. /Ballkani.info/