Komisioni për Çështje Evropiane i Parlamentit të Kroacisë, i kryesuar nga Ivan Milosheviq, në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë, ka zhvilluar takim me anëtarë e Komisionit për Integrime Evropiane.

Pas takimit Millosheviq tha se Kroacia është e interesuar të bashkëpunojë ekonomikisht me Kosovën dhe se do të vazhdojë përkrahja për procesin e liberalizimit të vizave dhe anëtarësimin në organizatat evropiane.

“Na vjen keq që ndodhi ashtu votimi për Interpol, por Kroacia jep përkrahjen e vet edhe në liberalizimin e vizave, do donim t’i bartim përvojat tona për procese evropiane dhe të kuptojmë në mënyrë serioze se është mjet dhe jo vetëm qëllim për hyrje ne BE”.

“Biseduam për pozitën e komunitetit kroat në Kosovë, patëm garancinë se do të përmirësohet gjendja e kroatëve në Kosovë dhe do ketë një deputet ne kuvend të Kosovës”, tha Millosheviq.

Blerta Deliu-Kodra, kryesuese e Komisionit për Integrime Evropiane tha se gjatë këtij takimi, Kosovës iu konfirmua edhe njëherë mbështetja e shtetit të Kroacisë, për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon vendi.