Kroacia e dënoi shoferin e autobusit të aksidentuar me 6 vjet burgim, familjarët e viktimave kundër dënimit

Në Gjykatën Komunale në Sllavonski Brod të Kroacisë, shoferi 53-vjeç i autobusit nga Kosova që ishte aksidentuar vitin e kaluar, është dënuar me gjashtë vjet burgim.

25 korriku i vitit të kaluar ishte shumë i rëndë për Kosovën.

Në aksidentin që rezultoi fatal për 10 udhëtarë të linjës Frankfurt-Prishtinë tashmë institucionet e drejtësisë në Kroaci kanë dhënë vendimin.

Shoferi i autobusin tashmë e ka pranuar fajësinë dhe i njëjti nga drejtësia kroate është dënuar me 6 vite burgim.

Mediat kroate thonë se ai nuk do ta apelojë këtë vendim.

Sabri Rrustemi gjatë këtij aksidenti ka humbur vëllain, por ai nuk është i pajtimit që të dënohet shoferi i autobusit.

“Unë jam absolutisht kundër dënimit të shoferit. Ma merr mendja që asnjë njeri në botë nuk do kishte dashur të ndodh ajo që ka ndodhur. Ai nuk e ka bërë atë vepër me qëllim”, shprehet Rrustemi.

Sipas tij as gruaja e fëmijët e të ndjerit që ishin në autobusin e aksidentuar nuk e konsiderojnë fajtorë shoferin për rastin tragjik.

Në aksidentin e rëndë të ndodhur në Kroaci, pos 10 viktimave edhe rreth 45 të tjerë kishin mbetur të lënduar.