Në ditëlindjen e tij, DJ PM ka zgjedhur të ndajë një postim falënderues, duke shprehur mirënjohje për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur në rrugëtimin e tij personal dhe profesional. Një mesazh i thjeshtë, i ngrohtë dhe pa ngarkesa , por një mungesë nuk kaloi pa u vënë re.

Sara Berisha, partnerja e tij që nga dalja e tyre nga reality show-i “Big Brother VIP”, nuk ka bërë asnjë urim publik për DJ PM. Në një epokë ku edhe marrëdhëniet më diskrete lënë gjurmë në rrjete sociale, heshtja e Sarës u bë zhurmë.

Ky detaj i vetëm ka mjaftuar që në rrjete sociale të shpërthejnë spekulimet: A mos ka marrë fund marrëdhënia e çiftit? A është kjo heshtje e qëllimshme apo thjesht një zgjedhje private?

Ndërkohë, kolegë dhe miq të DJ PM, përfshirë Beatrix Ramosajn dhe Monika Lubonjën – të dyja ish-banore të së njëjtës shtëpi të famshme – janë bërë pjesë e urimeve. Por Sara, ndonëse një nga figurat më të afërta me DJ PM, ka zgjedhur të mos reagojë. Të paktën jo ende.

Asnjëri prej tyre nuk ka bërë ndonjë deklaratë publike mbi këtë mungesë, por ndjekësit e tyre, gjithmonë të vëmendshëm presin me kureshtje: a do të ketë një sqarim? Apo kjo heshtje flet më shumë se çdo fjalë?

Në pritje të një konfirmimi, dyshimet mbeten të hapura dhe marrëdhënia e tyre mbetet një mister i ëmbël për publikun.