Kriza energjetike do të vazhdojë së paku deri në fund të janarit

Drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka thënë nga data 20 janar 2022 mund të kthehet në funksion blloku i Kosovës B, për prodhimin e energjisë elektrike.

Krasniqi ka thënë se KEK-u ka tri njësitë e Kosovës A në operim, ndërkaq tek Kosova B është në operim vetëm njëri bllok për shkak të avarisë.

“Ka thënë se janë duke punuar për riparimin e turbinës dhe siç ka thënë ka një datë që rreth datës 20 mund të kthehet në funksion blloku i Kosovës B”, ka thënë Krasniqi, në një konferencë të përbashkët për media me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ushtruesin e detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it, Kadri Kadriu.

Ndërkaq, Kadriu, ka thënë se konsumi i energjisë elektrike ka shënuar rritje enorme derisa siç ka thënë, diferenca mes importit dhe prodhimit vendor është shumë e lartë.

“Konsumi ka shënuar rritje enorme dhe në këtë moment, diferenca mes importit dhe prodhimit vendor është jashtëzakonisht e lartë. Më këto çmime që ekzistojnë në treg normalisht se paraqet një situatë të vështirë për të gjithë sektorin. Kohëve të fundit, në 15 ditët e fundit kemi pasur shumë devijime në sistem, të cilat një kohë të gjatë KOSTT-i ka arritur t’i menaxhojë. Ne kemi arritur t’i tejkalojmë por kohët e fundit, devijimi ka shkuar deri në 500 megavat dhe ne jemi të detyruar që ta ruajmë integritetin jo vetëm të sistemit të Kosovës, por edhe sistemit evropian”, ka thënë Kadriu.