Dardan Krivaqa

Krivaqa përsëri në gjykatë si i akuzuar për grabitje në kazino

Dardan Krivaqa sërish doli në gjykatore në mërkurën.

Prokuroria në Ferizaj e ngarkon Krivaqën dhe Arbnor Likën se në bashkëkryerje ne vitin 2012 kishin grabitur një kazino në këtë qytet dhe kishin marrë para në vlerë prej 1 mijë e 500 euro.

Ndaj për këtë, në seancë u lëshuan video incizime si dëshmi të natës kritike.

Fiks në orën 5:44 të mëngjesit shihen dy persona të cilët hyjnë brenda dhe nën kërcënimin e armës kryejnë këtë vepër e më pas largohen, për të cilët prokuroria pretendon se këta persona janë Krivaqa e Lika, ani pse të maskuar.

Por i pandehuri Dardan Krivaqa ka mohuar se është në dijeni të kësaj vepre.

“S’kam të bëj asnjërën me këtë vepër, s’kam qenë as nuk di sen për këtë vepër.”

Por kur prokurori i rastit lexoi një deklaratë që Krivaqa ka dhënë atë kohë në stacionin policor, ky i fundit e kontestoi se ka ndodhur një gjë të tillë.

“Na e kemi një deklarim, deklaratë tuajën që është marrë me autorizimin e zyrtarëve përkatës me datë 29 janar 2019, përafërsisht një muaj e gjysmë prej kur ka ndodhë rasti. Me ia ofru për shikim A është ky nënshkrimi tij?, deklaroi Rasim Maloku, prokuror i rastit.

Por, Krivaqa mohoi që ka dhënë deklaratë për këtë rast.

“Jo unë të thashë që nuk kam dhënë deklaratë kurrë për këtë çështje, këqyre mirë, për këtë çështje hiç as nënshkrimi apsolutikisht jo. Kjo është montim”, tha ai.

Ndaj për këtë prokurori Maloku propozoi që të ftohet si dëshmitar avokati që e ka mbrojtur Krivaqën atë kohë.

“Nënshkrim në deklaratë është i imi. Rreth përmbajtjes së deklaratës nuk më kujtohet sepse ka kaluar kohë e gjatë, sepse asnjëherë nuk më ka ndodhë të nënshkruaj një deklaratë pa qenë prezent i dyshuari”, tha Rafiz Shehu- dëshmitar.

Ndërkaq, për këtë rast, i akuzuari tjetër Arbnor Lika është mbrojtur në heshtje.