Emisari amerikan

Kritikat direkte të Escobarit për Kurtin, PDK i sheh si shpërfaqje e tensioneve të kamotshme të LVV-së me SHBA-në

Për deputetët e PDK-së deklaratat e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për raportet e tensionuara me kryeminstrin Kurti shpërfaqën një realitet që ndodh prej kohësh.

Deputeti i PDK-së Rashit Qalaj thotë se gjuha e të dërguarit amerikan nuk ishte aspak diplomatike në raport me Kurtin.

“Më erdh mirë që zoti Escobar e bëri një ndarje duke thënë se ‘kemi komunikim jo të mirë me Qeverinë e Kosovës’, derisa tha se kemi partneritet të mirë me popullin e Kosovës. Kjo ndarje është hera e parë që bëhet nga amerikanët. Nuk besoj se as votuesit e Kurtit e kanë këtë qëndrim. Mos të harrojmë se kush jemi ne pa Amerikën”.

Qalaj thotë se LVV nuk është hera e parë që i ka raportet e tensionuara me SHBA-në.

“Kujtojmë ballafaqimin e turmës me ambasadoren Tracy Jakobson, pastaj akuzat ndaj zotit Trump dhe të dërguarit të tij Grenell. Tash së fundmi kemi edhe problemet me administratën Biden”, ka deklaruar deputeti i PDK-së në RTV Dukagjini.

Edhe deputeti tjetër i PDK-së Hajdar Beqa thotë se deklarimin i Escobar ishte i qartë dhe sipas tij ai përfaqëson qëndrimin zyrtar të SHBA-së.

“Këto deklarata të Escobar janë shqetësuese dhe duket se kanë ardhur pas disa gabimeve që ka bërë qeveria e zotit Kurti”.

Ndryshe, i dërguari i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të martën se “partneriteti ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është në mes të popullit amerikan dhe popullit të Kosovës dhe nuk varet nga një njeri apo një parti”, duke i bërë jehonë një qëndrimi të përsëritur ditëve të fundit nga zyrtarë amerikanë që bëjnë dallimin ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës.

Ai i bëri këto komente në një bashkëbisedim me gazetarë nga Brukseli prej nga filloi një vizitë në Evropë, gjatë së cilës pritet të qëndrojë në Prishtinë, për të diskutuar rreth procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe çështjen e përdorimit të dinarit në zonat e banuara me shumicë serbe.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërsa kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.

“Më duhet të them se aktualisht kemi problem komunikimi me kryeministrin (Albin Kurti) dhe ky nuk është problem vetëm i Shteteve të Bashkuara. Mendoj se është problem në komunikim që Kosova ka me Bashkimin Evropian, me NATO-n, me Britaninë e Madhe, me Shtetet e Bashkuara dhe shumë partnerë të tjerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha zoti Escobar, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara kanë pasur “një partneritet shumë, shumë të afërt me Kosovën në të kaluarën; do të na pëlqente shumë që ta kthejmë atë lloj marrëdhënie sërish siç ishte dikur”, ka deklaruar Escobar.