Kritika të shumta për Protokollin e Jahjagës në ditën e çlirimit, ajo nuk flet për dështimet

Fjalimet e ish-Presidentit Bill Clinton dhe ish-Sekretares Madeleine Albright, me gjasë, nuk janë kuptuar nga shumë qytetarë që kanë dalë në sheshet e Prishtinës për t’i dëgjuar heronjtë e çlirimit të Kosovës.

Por, për Protokollin e Shtetit, me rëndësi ka qenë që përkthim me kufje ka pasur për 650 mysafirët e mbledhur në formën e yllit, raporton KTV.

Drejtori i Protokollit të Shtetit, Orhan Hajrizi, e ka konsideruar absurde pyetjen e KTV-së për përkthimin, duke thënë se nuk ndodh askund të përkthehet për masat.

Por, për masat, përkthim me zë ka pasur në kohën kur Presidenti Clinton po fliste në afërsi të statujës së tij.

Hajrizi është pyetur edhe për pjesëmarrjen e ulët, jo vetëm të qytetarëve në shesh, por edhe në organizime zyrtare.

Në kohën që po fliste ish-Presidenti kroat, Stipe Mesiq, në Konferencën e sigurisë, salla ishte pothuajse e zbrazur.

Pjesëmarrje të vogël ka pasur edhe në Koncertin e Filarmonisë, që zakonisht i mbush sallat.

Megjithëse nuk ua ka mohuar angazhimin, kryeministri Haradinaj ka thënë se organizimi ka lënë për të dëshiruar, por ka pohuar se ka qenë në kompetencë të Thaçit e Jahjagës.

KTV-ja ka dërguar pyetje edhe për mossigurimin e hapësirës ku ishin vendosur shumica e medieve, por përgjigjet kanë munguar nga Këshilli Organizativ, kryesuar nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga.

Një prej çështjeve që është komentuar gjerësisht në rrjete sociale, ka qenë mungesa në tubimin qendror e dy kryetarëve të partive opozitare, Isa Mustafa e Albin Kurti.