VIDEO

Krismat e armëve dhe arratisja e Andi “Italianit”: Pamje të reja nga vrasja në “Bon Vivant”

Ngjarja e së premtes në “Bon Vivant” në Prishtinë ka tronditur gjithë Kosovën. Një i vrarë dhe 20 të plagosur ishte bilanci i një përleshje me armë në një nga lokalet më të njohura të kryeqytetit.

Në këtë ngjarje, mbeti i vrarë pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kastriot Ramadani, ndërsa të përfshirë direkt në këtë përleshje gjithashtu janë edhe Andi Pajaziti i cili dyshohet të jetë edhe autori i vrasjes së Ramadanit. Paparaci.com ka siguruar pamje nga momenti i ngjarjes kur edhe shihet Andi Pajaziti i njohur me nofkën “italiani” teksa del nga lokali Bon Vivant i plagosur.

Sipas Prokurorisë, ngjarja kishte nisur kur Andi Pajaziti i njohur si “italiani” dhe Dukagjin Nikollaj, i cili ndodhet në arrati kishin nisur të përleshen fizikish në “Bon Vivant”. Më pas, sipas prokurorisë i ndjeri Kastriot Ramadani kishte goditur Andi Pajazitin me një shishe qelqi dhe ky i fundit kishte shkrepur në drejtim të tashmë viktimës.

Edhe Dukagjin Nikollaj si dhe i ndjeri kanë shkrepur me armë zjarri në drejtim të Andi Pajazitit, thuhet në kerkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj “italianit” dhe dy personave tjerë siç u raportua në media ditë më herët.

“Në atë moment me të vërejtur që në lokal kanë hyrë të pandehurit Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti,, në atë moment i ndjeri Kastriot Ramadani e ka nxjerrë armën e zjarrit nga brezi kurse i pandehuri Dukagjin Nikollaj e ka nxjerrë armën e zjarrit nga një çantë e dorës, ashtu që për një moment fillojnë të përleshen fizikisht fillimisht Andi Pajaziti me të pandehurin Dukagjin Nikollaj, më pas Kastriot Ramadani e godet me një shishe qelqi në kokë disa herë Andi Pajazitin, në atë moment Andi Pajaziti nxjerr armën e zjarrit nga brezi dhe shkrepë në drejtim të Kastriot Ramadanit, kurse i pandehuri Dukagjin shkrep me armë zjarri në drejtim të Andi Pajazitit si dhe i ndjeri Kastriot Ramadani shkrep në drejtim të Andi Pajazitit e me ç’rast kanë rrezikuar edhe jetën e personave tjerë”, thotë dosja e Prokurorisë.