Krisen raportet | Osmani “absolutisht e zhgënjyer” me marrëveshjen e Kurtit me Vuçiqin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu ka dhënë një intervistë për mediumin britanik “The Sun Online” ku ka folur rreth situatës në Ballkanin Perëndimor dhe problemit midis Kosovës dhe Serbisë.

Osmani në këtë intervistë ka tërhequr shumë paralele midis presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe atij rus, Vladimir Putin duke thënë se Serbia përdorë taktikat e Rusisë dhe synon të bëjë me Kosovën siç ka bërë Rusia me Krimenë.

Ndër të tjera, Osmani ka komentuar edhe për marrëveshjen e Ohrit për çka ka thënë se është “absolutisht e zhgënjyer” që marrëveshja nuk përmban njohjen reciproke.

“Ne jemi absolutisht të zhgënjyer që njohja reciproke nuk përfshihet në mënyrë eksplicite në këtë marrëveshje, sepse është zgjidhja e vetme që mund të çojë në paqe dhe stabilitet afatgjatë”, ka thënë Osmani.

“Serbia duhet të arrijë në atë pikë ku ata të kuptojnë se realiteti i Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran është një realitet që do të ekzistojë përgjithmonë, ne nuk do të kthehemi, kjo nuk do të ndryshojë”, tha Osmani.

“Pra, sa më shpejt dhe sa më shumë që partnerët tanë ta thënë këtë dhe t’ia bëjnë të qartë Serbisë, aq më mirë për Serbinë, aq më mirë për rajonin dhe sigurisht për marrëdhëniet tona.”, tha Osmani.

Osmani ka folur edhe për grupet kriminale serbe në veri të Kosovës për çka ka thënë se mbështeten nga Serbia dhe se Rusia i ka furnizuar me armë dhe uniforma.