Robert Reich

Kriptovalutat po bien: Presidenti Joe Biden të veprojë

Shkruan: Robert Reich

Një javë më parë, kur vlera e kriptovalutave ra përtokë, Celsius Network (DeFI) – një bankë kriptovalutash eksperimentale me më shumë se një milionë myshterinj që na doli si lidere në botën e errët e të decentralizuar financiare – njoftoi se po ngrinte krejt tërheqjet e parave për shkak të “kushteve ekstreme të tregut”.

Më herët gjatë kësaj jave, vlera e Bitcoinit ra 15 për qind gjatë 24 orëve në pikën më të ulët prej dhjetorit 2020. Muajin e kaluar, Terra USD, – sistem që supozohej të performonte si llogaritë konvencionale bankare por që mbështetej vetëm nga kriptovaluta e quajtur Luna – kolapsoi, duke humbur 97 për qind të vlerës veç për 24 orë, me sa duket duke shkatërruar edhe kursimet jetësore të investitorëve.

Tetëdhjetë e nëntë vite më parë, Franklin Delano Roosevelt nënshkroi ligjin e Bankimit të vitit 1933 – i njohur edhe si Akti “Glass-Steagall”. Ai ndante bankimin komercial nga bankimi investiv – Main Street-in nga Wall Streeti – për të mbrojtur njerëzit që u kishin besuar kursimet jetësore bankave komerciale, e të cilat i humbnin në investime që shkonin dëm.

Qëllimi madhor i këtij Akti ishte t’i jepej fund një skeme gjigante piramidale (ponzi në këtë rast) që kishte tejkaluar ekonominë amerikane në vitet ’20 dhe kishte çuar në Rrënimin e Madh të vitit 1929.

Amerikanët po pasuroheshin përmes spekulimeve financiare në tregun e aksioneve dhe përmes shumë llojeve të exotica-s (gati analog me kriptovalutat e sotme). Vlera e këtyre aseteve të rrezikshme u rrit vetëm për shkak të numrit të madh të investitorëve që i investonin paratë e tyre aty.

Por në një pikë, skemat Ponzi rrëzohen mu për shkak të peshës që fitojnë. Kur rrëzimi ndodhi në vitin 1929, e zhyti krejt kombin dhe botën në Depresionin e Madh. Akti i Rooseveltit ishte mjet për rivendosjen e stabilitetit.

Deri në vitet 1980, Amerika kishte harruar traumën financiare të 1929-s. Derisa tregu i aksioneve u ngrit në qiell, spekulatorët vërejtën që mund të bënin shumë më shumë para nëse do të rrezikonin me paratë e njerëzve tjerë – siç kishin bërë njerëzit edhe në vitet 20’. E shtynë kongresin që të çrregullonte Wall Streetin, duke argumentuar që sektori financiar i ShBA-ve ndryshe do të humbte konkurencën ndaj qendrave tjera financiare në botë.

Përfundimisht, në vitin 1999, Bill Clintoni dhe Kongresi u pajtuan që të hiqnin edhe atë që kishte mbetur nga Akti i Rooseveltit.

Si rrjedhojë, ekonomia amerikane edhe një herë tjetër u bë një sallon bastesh. Pashmangshëm, Wall Streeti e përjetoi një tjetër përvojë të prag-vdekjes nga bastet e tepërta. Skemat e saj ponzi nisën të rrëzoheshin në vitin 2008, ashtu siç ishin rrëzuar në vitin 1929.

Dallimi këtë herë ishte se qeveria amerikane mundi të shpëtonte bankat më të mëdha dhe insititucionet financiare. Rrënimi total u përmbajt. E megjithatë, miliona amerikanë humbën vendet e punës, kursimet jetësore, e edhe shtëpitë (dhe asnjë ekzekutiv i vetëm i bankave nuk shkoi në burg).

Kjo na sjell te rrëzimi i kriptovalutave.

Kryesuesi aktual i Komisionit të Sigurimeve dhe Shkëmbimeve, Gary Gensler, ka përshkruar investimet në kriptovaluta si “të mbushura me mashtrime, skema, dhe abuzim”. Në botën e errët të kriptos DeFI (shih më lart), është e zorshme ët dihet se kush ofron paratë për hua, kah qarkullon paraja, dhe sa është e lehtë të shkaktosh rënie të valutës.

Nuk ka standarde për menaxhimin e rrezikut dhe nuk ka rezerva kapitale. Nuk ka as kërkesa për transparencë. Investitorët shpesh nuk e dinë se si menaxhohet paraja e tyre. Depozitat nuk janë të siguruara. Jemi kthyer mbrapa në vrazhdësinë e financave të viteve ’20.

Para rrëzimit të kriptove, vlera e kriptovalutave kishte mbajtur rritjen duke tërhequr një numër gjithnjë e në rritje të investitorëve dhe shumë para të majme nga Wall Street, bashkë me mbështetjen nga figura të njohura publike. Por, megjithatë, krejt skemat Ponzi bien me kalimin e kohës. Dhe duket se kriptovalutat po përmbysen përgjithmonë.

Pse ky treg nuk është i rregulluar? Kryesisht për shkak të lobimit intenziv nga industria e kriptove, udhëheqësit e të cilës duan që kjo skemë ponzi të vazhdojë.

Industria po derdh shumë para në fushata politike.

Dhe ka punësuar shumë ish zyrtarë qeveritarë dhe rregullatorë që të lobojnë në emër të tyre.

Nëse është dashur të mësonim diçka nga rrëzimet e 1929-s dhe 2008-s, ka qenë që rrezullimi i tregjeve financiare është esencial. Përndryshe, ato kthehen në skema Ponzi që me kalimin e kohës lënë investitorët e vegjël me asgjë dhe destabilizojnë krejt ekonominë.

Është koha për administratën Biden dhe Kongresin që të rregullojnë kripto-valutat.

Autori është ish sekretar i Punës në administratën e Bill Clinton