Krimineli Sheshel reagon pas dënimit të Teodosijeviqit në Kosovë

Kryetari i Partisë Radikale Serbe, krimineli Vojisllav Sheshel ka thënë se Serbia duhet të reagojë me vendosmëri ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për ta dënuar ish-ministrin, Ivan Teodosijeviq për shkak të deklaratës që ai e dha dy vjet më parë me rastin e 20 vjetorit të bombardimeve të NATO-s, ku e quajti trillim masakrën e Reçakut.

Sheshel tha se Serbia nuk duhet ta bojkotojë dialogun, por theksoi se çështja e dënimit të Teodosijeviqit duhet të ngritet aty.

“Nuk do të ishte e mençur të thuash tani se ne nuk do të shkojmë në negociata derisa të zgjidhet kjo çështje, sepse atëherë Prishtina do të thotë se Serbia po i minon negociatat. Megjithatë, vazhdimi i negociatave është paralajmëruar, por ato nuk duhet të jenë në nivelin më të lartë, asnjë ministër ose një zyrtar shtetëror i rangut më të ulët nuk mund të shkojë dhe të thotë se ne nuk kemi asgjë të re për të folur derisa Teodosijeviq të lirohet dhe atij t’i jepet një gjykim i drejtë dhe i ndershëm para një trupi gjykues me dy gjyqtarë, serbët dhe një shqiptar siç përcaktohet nga Marrëveshja e Brukselit”, tha Sheshel në TV Pink.

Ai tha se këtë do ta kishte parë si kusht për futjen e gjykatave serbe në institucionet e Kosovës.

Kush është Vojisllav Sheshel?

Sheshel ka qenë i dënuar për krime lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krimet në ish-Jugosllavi gjatë kohës sa ai ishte zëvendëskryeministër i Serbisë.

Ai u dorëzua vullnetarisht në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Hagës në shkurt të vitit 2003, por gjyqi i tij filloi deri në nëntor të vitit 2007.

Më 31 mars 2016, ai u shpall i pafajshëm në një vendim të shkallës së parë. Më 11 prill 2018, Dhoma e Apelit e prishi pjesërisht vendimin e shkallës së parë, duke e shpallur Sheshelin fajtor për krime kundër njerëzimit për shkak të rolit të tij në nxitjen e dëbimit të kroatëve nga Hrtkovci. Ai u dënua me 10 vjet burg, por për shkak të kohës së kaluar në paraburgimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Hagës, ai nuk ishte detyrua të kthehej në burg.