Krimi në “Dardani” – Hasani e thirri djalin dhe i tha: Nanën e gruan t’i vrava, tash po e rahatoj veten

Para se të kryente aktin makabër, Hasan Krasniqi 61-vjeçar, mori vajzën 2-vjeçare të djalit të tij, Kreshnikut dhe e dërgoi te fqinjët. Me tu kthyer në banesë, e pati të qartë atë se çka e kishte ndër mend të bënte. Cak i tij ishte gruaja me të cilën kishte vite që nuk po flisnin, derisa, e vdekur mbeti dhe gruaja e djalit, Remzija. Pas këtij akti makabër, ai telefonoi djalin e tij (Kreshnikun) për t’i thënë vetëm diçka “nanën e gruan t’i rahatova, tash pe rahatoj veten”.

Ka disa vite që në familjen Krasniqi kishin filluar problemet, e burim i tyre ishte vetë kryefamiljari, Hasan Krasniqi, 61-vjeçar.

Ish-arsimtari për gati 10 vite, siç deklarojnë familjarët e ata që e kishin njohur nga afër i kishte bërë presion gruas së tij, Hysnijes (të cilën kishte tentuar edhe ta vriste) e katër fëmijëve të tij.

Për një kohë, madje familja kishin qëndruar larg tij, përderisa lajmërimet që disa herë kishin bërë në polici nuk kishin ndikuar që i njëjti të ndryshonte apo të përmirësonte sjelljen.

Ishin bërë katër vite që gruaja e tij, Hysnija, as nuk po fliste me të, teksa po mendonte edhe ndarjen, por, kjo nuk shihej as si opsion për Krasniqin. 60-vjeçaren përveç se e kishte rrahur disa herë, kishte tentuar ta vriste duke e lënë me lëndime trupore.

Pas tentim vrasjes, Hysnije Krasniqi, së bashku me djalin e saj Kreshnikun e gruan e tij, që mbeti e vdekur sot, Remzijen, ishin larguar nga shtëpia, e aty do të ktheheshin pas gjashtë muajve, kur 61-vjeçari do t’ju premtonte se kishte ndryshuar, e nuk do t’i shqetësonte më.

Asgjë çka kishte premtuar Hasan Krasniqi nuk ndodhi. Problemet në familjen e tij kishin vazhduar deri sot, kur i njëjti me armën që nuk kishte shumë kohë që e kishte blerë do ta vriste së pari gruan e tij, pastaj nusen e djalit (Remzijen) e më vonë edhe veten.

Çka ndodhi sot?

Sot para orës 12:00, Hysnije Krasniqi, së bashku me Remzijën (gruan e Kreshnikut) e vajzën e tyre dy vjeçare, kishin shkuar për të pirë kafe në lokalin ku punonte Kreshnik Krasniqi.

Aty do të qëndronin afërsisht 40 minuta, e pas kësaj do të vazhdonin për në banesën e tyre që ndodhet në lagjen “Dardania” saktësisht, afër bustit të Bill Clintonit.

Në banesë do të priteshin nga Hasan Krasniqi, që sipas dyshimeve të para, pas kthimit të tyre kishte pasur një konflikt me gruan e tij që do të përfundonte me vrasje të trefishtë.

Por, para se të kryente vrasjen, 61-vjeçari kishte marrë vajzën e djalit e kishte dërguar te fqinjët. Menjëherë, pasi u kthye, cak e pati gruan e tij, teksa, e vdekur mbeti edhe reja.

Duke folur për Gazetën Express, pronari i lokalit ku punon Kreshniku, ka bërë të ditur se kishte parë familjarët e tij e kishte biseduar me ta pak para se të ndodhte vrasja.

I njëjti ka shpjeguar edhe se si Kreshniku e kishte marrë vesh se i kishin vdekur gruaja edhe nëna. Kjo do të ndodhte pasi që Kreshnik Krasniqi do të merrte një telefonatë nga babai i tij që nuk do të fliste shumë fjalë.

“Nanën e grunë t’i rahatova, tash pe rahatoj edhe veten”, i tha 61-vjecari, djalit të tij, e pak sekonda më vonë ia mori vetes jetën.

“Burri i të ndjerës punon te unë edhe i kam kojshi, edhe nusja edhe nana kenë në lokal gjysmë ore para se me ardh. E ka thirre djalin e vet, hajde se nanën e grunë ti rahatova tash po e rahatoj edhe veten, djali si e ka dëgju ka vrapu menjëherë me djalin tim për në ndërtesë”, thotë ai.

Tutje, ai shton se 61-vjeçari kishte vite që kishte qenë i sëmurë, teksa familjarët shumë herë kishin lajmëruar policinë për rrezikun që ju kanosej.

“Ka qenë i sëmurë. Një vjet e gjysmë kanë dal prej banesës krejt me nanën e me nuse, ai ka jetu vetë, mas një kohe i ka thirrë i ka lut, hajdeni se skemi me pas problem ma shumë”, shton ai.

Rrëfimi i familjes

Vrasja e trefishtë që ndodhi sot në Prishtinë tronditi familjarët që menjëherë dolën në vend të ngjarjes.

Vëllai i Hysnijës (gruas së dorasit) i shqetësuar, duke folur për Gazetën Express tregon se si e mori informacionin për rastin.

“1:33 më ka thirrë djali më ka thanë më ka vra nanën (motrën tem) dhe gruan dhe në fund e ka vra veten. Para se me vra veten, e ka thirrë djalin i ka thanë nanën edhe grunë ta vrava e tash po e vraj edhe veten. Kanë pas probleme edhe ma herët, ai me gjakftofsi pe lajmëron djalin ta vrava nanën edhe grunë. Edhe ma herët kanë pas problem, nuk është e tashtit”, thotë ai.

Ai po shton se ka katër vite që po komunikonte vetëm me motrën e tij, derisa shkaku i sjelljes që kishte nuk komunikonte me personin që kreu krimin.

“Që katër vite vetëm me motrën kam komuniku, 100 herë i ka qit prej shpisë, janë kthy. Ka dalë në pension si invalid, ka marrë pension të invalidit ka thënë që ka problem me sy po në realitet nuk ka qenë ashtu. Edhe njëherë para 1 viti e gjys ka tentu me vra, ka pas gërvishje, e kanë lajmëru policinë, kanë qenë në gjyq gjyqi ka vendos në favor të atij”, shton ai.

Vëllai i të vrarës, po thotë se drejtësia asnjëherë nuk dëgjoi thirrjet e familjes, derisa disa herë e lajmëruan në polici, e kjo nuk ishte e mjaftueshme që të njëjtin ta largonin apo izolonin pasi që e konsideronin si person të rrezikshëm.

Fqinjët

Fqinjët e ata që i njihnin nga afër familjen Krasniqi kanë deklaruar për Gazetën Express se kishte tash e disa vite që kishte probleme të një pas njëshme në shtëpinë e tyre.

Njëra nga fqinjët është deklaruar se pavarësisht se disa herë kishin shkuar policia në shtëpinë e tyre, nuk kishte ndryshuar situata. Sipas saj kishte dorasi dëgjohej shumë shpesh duke bërë zhurmë e kjo ishte shpeshtuar ditëve të fundit.