Krime: 17 të vrarë; incidenti klasifikohet si “vrasje masive”

Së paku 17 njerëz u vranë dhe dhjetëra u plagosën nga sulmi në një kolegj në Krime – rajon ukrainas i aneksuar nga Rusia.

Zyrtarët fillimisht thanë se një “pajisje eksplozive e paidentifikuar” ka shkaktuar shpërthimin në kolegjin teknik në Kerç, por më vonë thanë se të gjitha viktimat vdiqën nga plagët me armë zjarri.

Hetuesit rusë thanë se një student 18-vjeçar është përgjegjës për sulmin dhe se ai e ka vrarë veten.

Ai u identifikua si Vladislav Roslyakov.

Roslyakov besohet se ka hapur zjarr brenda ndërtesës së kolegjit.

Duke folur pë incidentin, presidenti rus, Vladimir Putin, tha:

“Është tashmë e qartë se ishte një krim, motivet e kësaj tragjedie po hetohen. Publiku i gjerë do të informohet për rezultatet e punës që po bëjnë autoritetet e zbatimit të ligjit dhe shërbimet speciale”.

Incidenti fillimisht u përshkrua si “akt terrorist”, por Komiteti Hetues i Rusisë e riklasifikoi atë si “vrasje masive”.

Njësitë e rojes kombëtare u dërguan në vendin e ngjarjes.