Rrahman Jasharaj

Kreu i SBASHK-ut tregon se pse ia bëri vetes dhe mësimdhënësve pushim të hënën

Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që më 30 nëntor, e hënë, të mos pushohet si herave të tjera – dhe kësaj radhe në solidarizim me punëtorët shëndetësorë.

Ky vendim është komunikuar nga kryeministri Avdullah Hoti në llogarinë e tij në Facebook.

Më tej, Hoti ka deklaruar se edhe aktivitetet për shënimin e Ditës së themelimit të shtetit shqiptar do të bëhen në përputhje me masat e vendosura për të luftuar përhapjen e koronavirusit.

Mirëpo, Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës e ka sfiduar kryeministrin Avdullah Hoti, duke e caktuar të hënën ditë pushimi.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, ka thënë se vendimi i qeverisë që të hënën të punohet në emër të solidaritetit me punëtorët shëndetësor le të përdoret për ndonjë festë tjetër.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj në një prononcim për Periskopin deklarohet se janë bazuar në kalendarin shkollor të publikuar nga Ministria e Arsimit dhe se atë do ta respektojnë.

‘’Ne kemi marrë telefonata nga shumë kolegë anë e kënd Kosovës për këtë çështje. Bazuar në kalendarin shkollor nga Ministria e Arsimit thuhet se të hënën është ditë pushimi në shenjë respekti për festën e 28 nëntorit. Dje kryeministri Hoti ka thënë se duhet të punohet për tu solidarizur me mjekët. Ne kemi cek se mësimdhënsit janë solidarizuar me kohë meqenëse nga 14 shtatori janë duke punuar dhe janë duke i mbajtuar orët aq sa munden me të gjitha kapacitetet. Të premten në orët e para kanë fol për ditën e flamurit dhe u kanë thënë nxënësve që e hëna duhet të jetë pushim. Nuk jemi që në të ardhmen të veprohet kështu mirëpo të paktën të mos fillohet me 28 nëntorin’’, tha Jasharaj.

Tutje, kryetari i SBAShK-ut, sugjeron që Kuvendi i Kosovës duhet ta ndryshojë ligjin për festa dhe në atë mënyrë do të respektohet nga të gjitha palët.

‘’Parlamenti i Kosovës duhet ta ndryshojë ligjin për festa dhe të vlejë për të gjitha datat, dhe pse të fillohet nga kjo datë meqenëse është festë më shumë emocionale’’.

Kryetarai i SBAShKUT ka folur edhe për gjendjen me COVID-19 në arsim.

Jasharaj thotë se në përgjithësi janë të kënaqur me mënyrën si po punohet dhe menaxhimin e shkollave në kohë pandemie.

Ai thekson se do të paguhen për orët shtesë të gjithë ata mësimdhënës që zëvendësojnë orët e kolegëvë të prekur nga koronavirusi.

‘’Rastet janë shtuar kur është fjala për të prekurit nga COVID, në ato shkolla që ka më shumë të infektuar, kalohet për një kohë mësimi në online. Nëse rastet e të prekurve është më i vogël, atëherë kolegët i zëvendosjnë orët e kolegëve të prekur. Qeveria ka ndarë buxhet për mësimdhënësit që zëvendësojnë kolegët e prekur nga koronavirusi dhe të gjithë do të paguhen pasi që qeveria Hoti ka ndarë mjete për 500 norma’’, përdundon Rrahman Jasharaj