Kreu i SBASHK-ut: Të gjithë jemi fajtor për rezultatet e PISA-së

Për herë të dytë Kosova ka dështuar në testin e PISA-së duke u radhitur në vendin e katër të parafundit.

Tri vite pas testimit të parë, PISA e ka ranguar Kosovën të tretën nga fundi në listën mes 79 vendeve të botës.

Vendi ynë ka marrë pjesë në këtë test dy herë, derisa edhe në vitin 2015 ishte renditur e treta për nga fundi i tabelës.

Por, për këtë rezultat zhgënjyes, Kreu i SBASHK-ut Rrahman Jashari duke folur për lajmi.net ka thënë se të gjithë janë fajtorë.

Ai ka thënë se duke filluar nga Akademia e Shkencave të Kosovës bashkë me Institutin Pedagogjik dhe të tjerë duhet të ulën dhe të bëjnë një platformë për arsimin në Kosovë.

“Fillimisht ajo që pashë nga publikimet që i kanë bërë mediat është për të ardhur keq, është pritur më shumë nga testi PISA 2018, por ja rezultatet po e tregojnë. Unë mendoj që Akademia e Shkencave të Kosovës bashkë me Institutin Pedagogjik edhe të tjerët, njerëzit me eminent të Kosovës duhet të ulën dhe të bëjnë një platformë për arsimin e Kosovës. Rezultati i testi PISA është për t’u ndjer keq, sepse kemi pritur shumë më tepër. Duhet të bëjmë çmos që t’i tejkalojmë të metat e secilit. Jo për të ndëshkuar e linçuar dikë, por të shohim ku janë të metat, të shohim cilat janë tekstet shkollore, të shohim cila është kurrikula, të shohim a po e mësojmë atë që duhet, apo po mësojmë diçka që nuk duhet”, ka thënë Jashari.

Rrahmani po ashtu konsideron se kurrikula e re mund të mos jetë e qëlluar, duke shtuar se shteti duhet bëjë më shumë që shkollat të pajisen me mjete bashkëkohore të punës.

Ai po ashtu ka thënë se duhet të ketë më shumë inspektor që t’i vizitojnë mësimdhënësit në orët e mësimit, në mënyrë që, siç tha ai, të shohim se ku janë të metat e ku janë arritjet.

“Unë prapë po them, konsiderojë nga ajo që kam parë se mësimdhënësit e Kosovës, pjesa dërrmuese e tyre angazhohen, por mbase nuk jemi duke ja qëlluar çka duhet t’ju ofrojmë nxënësve në shekullin 21. Edhe unë konsideroj që shteti duhet të najë shumë më tepër mjete që shkollat tona të jenë të pajisura me mjete bashkëkohore. Sepse në këtë situatë pavarësisht angazhimit të mësimdhënësve rezultatet nuk do të jenë të pritura dhe konsideroj që do të ishte mirë të forcohet sektori i Inspektorëve të kemi sa më shumë njerëz të thirrur të cilët do të shkojnë nëpër shkolla, t’i vizitojnë mësimdhënësit në orë, t’i shohin se ku janë të metat ku janë arritjet dhe pastaj të angazhohemi të gjithë t’i tejkalojmë të metat. Për testi PISA të gjithë jemi fajtorë, prandaj duhet të ulemi të gjithë dhe ta gjejmë një zgjidhje të përbashkët pa etiketuar dhe fyer askënd, sepse me fyerje dhe etiketime rezultatet nuk përmirësohen”, ka deklaruar tutje ai.

Për këtë dështim, kreu i SBASHK-ut e ka fajësuar edhe politikën për ndërhyrje në shkolla.

Ai ka thënë se shumë drejtor në shkolla emërohen, jo në bazë të meritave, por përmes politikës.

“Në fillim ishte një përpjekje e inspektorëve, mirëpo nuk e di se pse u ndalua, se ishte në fillim një nivel angazhimi projekt-pilotë që të kemi vizita të inspektorëve në shkolla. Udhëzimet administrative, kërkojmë që ata t’i kenë të caktuar trajnimet. Shteti ka bërë pakë në trajnime profesionale. SBASHK-u me kaçik të vet është munduar që të ndikojë edhe në përmirësimin e cilësisë së arsimit, duke organizuar trajnime. Duhet bashkërisht ta kthejmë disiplinën në shkolla sepse në shumë raste mësimdhënës të caktuar nuk mund ta kryejnë punën ashtu siç duhet nga nxënësit që janë problematik, nga ndërhyrjet e vazhdueshme të prindërve në shkolla, e mos të flas për  ndërhyrjen e vazhdueshme e politikës nëpër shkolla. Se po them edhe drejtorët edhe mësimdhënësit edhe të gjithë i rekruton DKA-ja dhe të tjerë, por shpesh drejtorët  janë të rekrutuar jo në bazë të meritave, por në bazë të meritave të tjera të politikës dhe politika i drejton në shkolla të cilët nuk janë në kuadrot më të mira, prandaj edhe ka rënë cilësia në arsim të cilën duhet ta kthej duke u ulur të gjithë bashkë duke bërë një platformë kombëtare te arsimit në Kosovë”, ka thënë në fund Jashari.

Ndërsa, për këtë rezultat zhgënjyes, njohësi i çështjeve arsimore, Dukagjin Pupovci thotë se nuk është befasues.

Sipas tij, problemi kryesor në sistemin tonë të arsimit është mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet, duke nisur nga shkollat deri në qeveri.

Tutje, ai ka thënë se licencimi për mësimdhënësit ka mbetur vetëm formalitet pasi nuk ka pasur përpjekje cilësore që të bëhet vlerësimi i përformancës së tyre.

Ndryshe, PISA u organizua për herë të parë në vitin 2000 ku morën pjesë 43 shtete, ndërsa në vitin 2018 u mbajt cikli i shtatë i këtij testi, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues nga 80 shtete.