Kreu i grupit “Wagner” njoftoi se një amerikan u vra në frontin e Ukrainës lindore nga forcat e tyre

Kreu i grupit paraushtarak rus “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, ka njoftuar se një vullnetar amerikan, që ka luftuar përkrah trupave ukrainase në Ukrainën lindore, është vrarë nga pjesëtarët e grupit “Wagner”.

Në një video të shpërndarë nga blogerët ushtarakë rusë, Prigozhin shfaqet duke treguar trupin e një ushtari, që ai thotë se është amerikan në rrënojat e një ndërtese.

Në atë video të shkurtër, Prigozhin shihet duke ecur me njerëzit e tij gjatë natës, ndërsa rreth tyre dëgjohen shpërthime, por nuk mund të përcaktohet saktësisht se ku është dhe kur po ndodh.

Teksa qëndronte pranë trupit të një ushtari të shtrirë në shpinë, lakuriq deri në bel dhe me një plagë në bark, Prigozhin ka thënë me ironi “Ai erdhi të na takojë, qytetar i Shteteve te Bashkuara të Amerikës”.

Në errësirë, ai ka treguar diçka që duken si dokumentet e identitetit të atij ushtari.

“Ne do ta kthejmë atë në Amerikë. E vendosëm në një arkivol me një flamur amerikan. Me respekt, sepse ai nuk vdiq në shtratin e gjyshit, por në luftë”, ka deklaruar Prigozhin, grupi paraushtarak i të cilit është në vijën e parë të frontit në anën ruse në betejat për Bakhmut.

Agence France-Presse ka theksuar se pretendimet e Prigogine nuk mund të verifikoheshin menjëherë nga burime të pavarura.

Në një mesazh të publikuar mbrëmjen e sotme nga shërbimi i tij për shtyp, Prigozhin ka thënë se sigurisht që do t’ua kthejë trupin e ushtarit autoriteteve amerikane, raprtonN1.