Kreu i grupit kriminal në Beograd, Belivuk ofrohet të jetë dëshmitar bashkëpunëtor për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Edhe pse seanca përgatitore në Gjykatën Speciale në Beograd sot është shtyrë, i akuzuari Veljko Belivuk është ofruar të jetë dëshmitar bashkëpunëtor në rastet e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviqi, vdekjes së Vladimir Cvijanit dhe rrënimeve në lagjen ‘Savamala’ në Beograd.

Siç shkruan gazeta serbe “Danas”, Belivuk – kreu i grupit të krimit të organizuar, i akuzuar për pesë vrasje, trafik droge, armëmbajtje pa leje, rrëmbim dhe përdhunim – tha se ishte i gatshëm të dëshmonte në lidhje me rastet e mësipërme si dëshmitar i bashkëpunëtor, nëse të gjithë anëtarët e grupit të tij, përveç tij dhe Marko Miljkoviq, do të lirohen.

“Nëse pranoni t’i lironi të gjithë, kurse mua dhe Marko Miljkoviqin në lëni në paraburgim, ofrohem të jem dëshmitar i mbrojtur në rastet e ‘Savamala’, Oliver Ivanoviqit dhe Vladimir Cvijanit”, tha Belivuk në ndërtesën e Gjykatës Speciale në Beograd.

Ai në një deklaratë të mëhershme në prokurori kishte thënë se shumë punë i ka bërë për shtetin, përfshirë rrënimin e në ‘Savamala’ dhe se ishte gati të fliste për këtë.

Kujtojmë se grupi i Belivukut, i cili ka gjithsej 30 anëtarë, akuzohet për pesë vrasje, rrëmbime, përdhunime, trafik droge dhe armëmbajtje pa leje.

Në aktakuzë thuhet se grupi ishte pjesë e një klani kriminal të Kavaçit nga Mali i Zi, i cili ka qenë në luftë me grupin ‘Skaljari’për vite me radhë. Viktimat e klanit të Veljko Belivuk dhe Marko Miljkoviq -bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë – u vranë në një shtëpi në ‘Ritopek’ afër Beogradit, dhe pas vrasjeve, trupat e tyre u bluan në një mulli mishi dhe u hodhën në Danub.

Për këtë ka folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në disa emisione televizive, duke shfaqur pamjet e trupave të prerë.

Udhëheqësit e arrestuar të grupit kriminal Veljko Belivuk dhe Marko Miljkoviq si dhe anëtarët e klanit të tyre, Milosh Budimir dhe Vlade Draganiq, janë marrë në pyetje në Prokurorinë për Krim të Organizuar më 9 shkurt për vrasjen e Goran Mihajloviq dhe Nikola Mitiq.

Belivuk më pas tha se Zvonko Veselinoviq, Sale dhe ai “i dërguan djemtë për të rrënuar në ‘Savamala’”.

Belivuk tha gjithashtu se do të tregojë gjithçka që kanë bërë për shtetin në vitet e kaluara.

“Nëse prokurori vazhdon të vendosë prova kundër nesh dhe të sajojë, unë do të detyrohem të tregoj gjithçka që kemi bërë për shtetin. Do të filloj me ‘Savamalën’ dhe më pas do të flas për krime shumë më të rënda”, tha Belivuk në seancë, duke theksuar se “Zvonko Veselinoviq, Sale dhe ai dërguan njerëz për ta rrënuar Savamalën”.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke vazhduar gjykimi për rastin e vrasjes së liderit të Iniciativës qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviq.

Gjykimi po zhvillohet ndaj Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, të akuzuar se janë të përfshirë në vrasjen e politikanit serb, tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.