Në pozita të larta drejtuese në Kosovë vazhdojnë të emërohen persona të cilët kanë lidhje me politikën, ani pse ata nuk përmbushin kriteret për atë pozitë në të cilën emërohen.
Kështu është thënë në konferencën e organizuar për fazën e dytë të projektit të Rekrutimit të financuar nga Ambasada Britanike “Forcimi i Qeverisjes së Mirë, Transparencës dhe Përgjegjshmërisë së Institucioneve të Kosovës”, për pozitat e larta drejtuese brenda shërbimit civil dhe institucioneve të pavarura.
Përveç nga ambasada, edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës e kanë pranuar se po vazhdojnë emërimet në baza partiake.
Në një vjetorin e këtij projekti, eksperti i rekrutimit të lartë dhe vlerësimit në BDO, Charlie Eyre, ka treguar rezultatet që kanë arritur brenda këtij viti. Ai ka potencuar se ka raste kur një kandidat merr vlerësimin se nuk është i përshtatshëm për atë pozitë dhe pikërisht ai përzgjidhet, e kjo sipas tij është shqetësuese.I zhgënjyer me rezultatet e punësimit për këtë vit ka thënë të jetë ambasadori i Britanisë së Madhe Ruairi O’Connell, i cili ka thënë se vitin e kaluar projekti ka shkuar më mirë sesa e kanë pritur, por këtë vit ai thotë se fatkeqësisht nuk mund ta thotë një gjë të tillë, madje sipas tij, ka kthim mbrapa.
Ai tha se në rekrutimin e pozitave të larta drejtuese ka raportime shqetësuese për interferimin në proces, falsifikim të dokumenteve për të përmbushur kriteret formale, konflikt interesi mes panelit dhe kandidatëve të intervistuar dhe anime në favor të një kandidati.
Ambasadori O’Connell tha se suksesi i këtij projekti është sukses i Kosovës, siç edhe në rast dështimi është i Kosovës. O’Connell ka përmendur rastin e një personi, i cili ka plotësuar kriteret në shumë pozita ku ka aplikuar, por nuk është zgjedhur pasi nuk ka pasur lidhje me politikën.
Ambasadori britanik shtoi se nuk kanë hequr dorë nga Kosova, sepse besojnë në qytetari aktive e cila do të kërkojë llogari nga të përzgjedhurit e saj.
Se në Kosovë ka emërime në baza partiake e ka pranuar edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, i cili ka thënë se nga emërime të tilla po humbet besimi i qytetarëve e të cilët pastaj po largohen nga Kosova.
Veseli u shpreh se projekti me Ambasadën Britanike ka ecur dhe ka pasur disa rezultate, por potencoi se në cdo matje të besimit qytetar ka ulje të tij edhe në agjencionet e pavarura, në ndërmarrjet publike, por edhe brenda vet institucioneve të Kosovës.
Kreu i Kuvendit ka thënë se inkurajon shoqërinë civile dhe mediat, që të tregohen të guximshëm dhe të zëshëm për të ndalur njerëzit e tillë, për siç ka thënë se do ta shkatërrojnë perspektiven e shtetit.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Ambasada Britanike ka ndihmuar në kthimin e besimit në organet publike, por edhe rekrutimin në pozita të larta të shërbimit civil duke e parandaluar nepotizmin dhe duke e konsoliduar transparencën, meritokracinë dhe qeverisjen e mirë.
Megjithatë, kreu i Qeverisë, thotë se ka pasur edhe lëshime dhe dëme me të cilat duhet të përballen.
Përveç Ambasadës së Britanisë dhe partneri zbatues i projektit firma BDO, një monitorim të proceseve të pozitave të larta e ka bërë edhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, ku edhe në raportin e tyre thuhet se institucionet e Kosovës në vazhdimësi kanë dështuar të garantojnë qasje të barabartë dhe meritokraci në punësim.
Projekti i Ambasadës Britanike për rekrutimet në pozita të larta drejtuese në shërbimin civil dhe institucionet e pavarura ka filluar fazën e parë në tetor të vitit 2016, ndërsa, faza e dytë është nga shtatori 2018 dhe do të zgjasë deri në mars 2020, ku ka nënshkruar memorandume mirëkuptimi me Kuvendin e Kosovës, Qeverisë dhe Komunën e Prishtinës dhe të Pejës./kp







