Krerët e FFK-së dhe ish-bashkëlojtarët bëjnë homazhe tek varri i ish-presidentit Vokrri

Sot shënohet përvjetori i parë i vdekjes së Vokrrit dhe shumë organizime janë bërë për ta nderuar figurën dhe punën e tij.

Sot, edhe krerët e FFK dhe ish shokët e skuadrës së Vokrrit kanë bërë homazhe tek varri i tij.

Njoftimi i plotë i FFK-së për këtë ngjarje.

9 qershor, 2019 – Presidenti i FFK-së, Agim Ademi në shoqëri të anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihu, administratës së FFK-së, ish-futbollistëve të njohur dhe grupit të tifozëve “Dardanët”, sot, në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të ish-presidentit Fadil Vokrri, e kanë zbuluar pllakën përkujtimore tek varri i tij dhe kanë bërë homazhe. Me këtë rast presidenti Ademi është shprehur: “Sot një vit mbetëm pa një futbollistë e mik të pazëvendësueshëm. Ne në FFK mbetëm pa prijësin tonë, i cili ishte kreator i rrugës drejt UEFA-s e FIFA-s dhe do të mbetet në histori si njeriu që e dërgoi Kosovën atje ku janë të gjitha shtetet, si pjesë e barabartë e familjes evropiane dhe botërore të futbollit modern. Shumë shokë e dashamirë të tij cilët e patën shok të tavolinës e ndjesë e ndjejnë mungesën e tij. Në këtë përvjetor jemi mbledhur për të bërë homazhe dhe për ta zbuluar pllakën përkujtimore tek varri i tij, që është bërë nga Federata e Futbollit e Kosovës dhe për të evokuar kujtimet për Legjendën. Ne i jemi përherë mirënjohës Legjendës, por edhe të gjithë atyre që sot nuk janë në mesin tonë e që kanë kontribuuar ndër vite të vijmë deri në këtë ditë, sepse futbolli është sport kolektiv dhe gjithmonë ka nevojë të funksionojë si ekip. Kështu kemi punuar edhe në kohën e Fadil Vokrrit, i cili si kapiten na ka prirë në rrugën e suksesit si Federatë. Edhe tani me ekip të përbashkët po e çojmë FFK-në dhe futbollin e Kosovës në një stad tjetër, duke arritur rezultate kulmore. Dhimbjen që e kemi përjetuar me humbjen e presidentit Vokrri tani e kemi shndërruar në përgjegjësi dhe krenari për suksese tjera. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës, legjendës Fadil Vokrri”.