Krenar Shala: Presidenti Thaçi po bën shkelje të Kushtetutës

Njohësi i çështjeve politike Krenar Shala me anë të një shkrimi në facebook thotë se Presidenti Thaçi po bën shkelje Kushtetuese.

Shala thotë se ai po e bën këtë shkelje sepse kemi të bëjmë me një PLAN të tij për të mbrojtur veten.

“Dhe ky PLAN ka të bëjë ekskluzivisht me mundësimin e rizgjedhjes së Presidentit për një mandat të dytë, sepse duke qenë në pozitë, evitohet apo vështirësohet ndjekja e tij penale”

“Presidenti do ta kërcënoj qeverinë anti-kushtetuese me rrëzim përmes partisë së tij dhe kështu LDK-ja do t’i nënshtrohet vullnetit të presidentit për ta votuar për një mandat tjetër.” shkruan Shala.

Postimi i plotë:

Presidenti osht fare i vetëdijshëm që po bon shkelje të kushtetutës. Dhe ai po e bën këtë shkelje sepse kemi të bëjmë me një PLAN. Dhe ky PLAN ka të bëjë ekskluzivisht me mundësimin e rizgjedhjes së Presidentit për një mandat të dytë, sepse duke qenë në pozitë, evitohet apo vështirësohet ndjekja e tij penale. Dikush do të pyeste se si është e mundur që qeveria që po krijohet në mënyrë anti-kushtetuese do ta votonte Presidentin për një mandat të dytë? Sepse, LDK-ja ka humbur shumë elektorat me rastin e rrëzimit të qeverisë dhe shkeljes së premtimit për ndryshim, dhe kjo frikë do të shfrytëzohet nga Presidenti që në emër të kinse nënshkrimit të marrëveshjes me Serbinë (për të cilën nuk ka konsenzus as në Kosovë dhe as në mes të ShBA-ve dhe BE-së dhe kështu nuk do të nënshkruhet) Presidenti do ta kërcënoj qeverinë anti-kushtetuese me rrëzim përmes partisë së tij dhe kështu LDK-ja do t’i nënshtrohet vullnetit të presidentit për ta votuar për një mandat tjetër. Ndërkaq AAK-ja dhe NISMA nuk do ta votonin, po kjo nuk paraqet problem sepse për zgjedhjen e presidentit duhen vetëm 61 vota me kusht që të jenē në sallë 2/3 e deputetëve. Pas rizgjedhjes, Presidenti, në një afat optimal, do ta krijonte mundësinë që të rrëzohet qeveria anti-kushtetuese, njejtë siç patë ndodhur herën e kaluar.Këtë PLAN mund ta prishë vetëm populli përmes protestave qëllimi i së cilave duhet të jetë rrezimi i Presidentit, krahas qeverisë anti-kushtetuese.