Qeveria ruse ka thënë se njerëzit që janë kundër pushtimit të vendit në Ukrainë “nuk kanë të drejtë të organizojnë protesta” pa kërkuar më parë leje.

“Sipas ligjit, pa ndjekur procedurat e duhura, këta qytetarë nuk kanë të drejtë të organizojnë aksione proteste për të shprehur këndvështrimin e tyre”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov gjatë një konference me gazetarë të huaj.

Qindra protestues u arrestuan nga policia të enjten gjatë demonstratave kundër luftës, shkruan CNN.

Sipas ligjit rus, demonstratat e mëdha kërkojnë që protestuesit të aplikojnë për një leje, e cila duhet të dorëzohet jo më shumë se 15 por jo më pak se 10 ditë përpara ngjarjes. Gjoba të rënda dhe në disa raste edhe burg mund të vendosen për ata që protestojnë pa leje.

Individëve u lejohet të organizojnë “protesta të vetme”, por nuk është e padëgjuar që njerëzit të ndalohen edhe për ata.

“Ka protesta të vetme, por të tilla… mirë, nuk do të thosha ngjarje masive… por ngjarje me pjesëmarrjen e një numri të caktuar njerëzish – ato thjesht nuk lejohen me ligj. Prandaj ndaj tyre janë marrë masa të caktuara”, shtoi Peskov.

Peskov pranoi se ka rusë që janë kundër asaj që Kremlini vazhdon ta përshkruajë si një “operacion special” dhe se qeveria duhet “të shpjegojë më mirë [motivet e saj] këtyre qytetarëve”. Ai sugjeroi gjithashtu se ka më shumë rusë në favor të pushtimit sesa kundër.

“Presidenti dëgjon mendimin e të gjithëve dhe kupton përmasat e atyre që kanë një këndvështrim të ndryshëm dhe atyre që janë dashamirës ndaj operacioneve të tilla të nevojshme”, tha Peskov.