Kremlini

Kremlini thotë se Putini nuk planifikon të marrë pjesë në varrimin e Prigozhinit

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk planifikon të marrë pjesë në varrimin e shefit mercenar, Yevgeny Prigozhin, i cili vdiq nga rrëzimi i një aeroplani javën e kaluar.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk ka treguar se kur dhe ku do të varroset shefi i grupit mercenar Wagner, megjithëse mediat ruse kanë sugjeruar se jo më larg se më 29 gusht në vendlindjen e vet, Shën Peterburg.

Mediat lokale thanë se Prigozhini me gjasë do të varroset në varrezën Serafimovsky, që është përdorur për varrosjen e ushtarakëve të profilit të lartë.

Më 29 gusht, njësi të mëdha të policisë e rrethuan varrezën, në të cilën janë të varrosur edhe prindërit e Putinit.

Hetuesit rusë e konfirmuar vdekjen e Prigozhinit më 27 gusht, katër ditë pasi një avion privat, në bordin e të cilit ishte ai, u rrëzua në veri të Moskës.

Një ditë pas rrëzimit të avionit, presidenti rus, Vladimir Putin, konfirmoi tërthorazi vdekjen e Prigozhinit, pasi i shprehu ngushëllime familjes së liderit të grupit mercenar.

“Ai [Prigozhin] ishte njeri i talentuar”, tha Putini më 24 gusht, duke e quajtur “tragjedi” rrëzimin e avionit.

Ka pasur spekulime se Kremlini mund të ketë qenë i përfshirë në rrëzimin e avionit. Avioni u rrëzua saktësisht dy muaj pasi Wagner kreu një rebelim të jetëshkurtër kundër udhëheqjes ushtarake ruse.

Kremlini i ka mohuar spekulimet se qëndron pas rrëzimit të avionit të Prigozhinit.

Trupat e Wagnerit, të udhëhequr nga Prigozhini, luajtën rol të rëndësishëm në pushtimin e Ukrainës nga Rusia, duke i ndihmuar ushtrisë ruse t’i zaptojë pjesët kryesore të qytetit Bahmut, pas gati 10 muajve luftimesh intensive./REL