Kremlini avancon me trupat, Kievi nuk po negocion

Kremlini njoftoi se pasditen e të shtunës do të rifillojë avancimin e forcave ruse në Ukrainë, sipas planit operacional, për shkak të mungesës së negociatave që Moska ia atribuon Kievit.

Kështu raporton “Tass”. Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi të premten një ndalesë të përkohshme të avancimit në Ukrainë, në pritje të negociatave të mundshme me Kievin, por operacioni rifilloi pasi udhëheqja ukrainase refuzoi të negocionte. Kështu deklaroi zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Ndërkohë, që nga dita e parë e sulmit rus në Ukrainë, 198 ukrainas janë vrarë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”, ku në mesin e viktimave janë edhe 3 fëmijë.

Ministri ukrainas i Shëndetësisë ka konfirmuar këto të dhëna, duke shtuar se 1115 persona kanë mbetur të plagosur, duke përfshirë edhe 33 fëmijë.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se 35 persona, përfshi dy fëmijë, mbetën të plagosur nga përleshjet e armatosura gjatë natës në rrugët e Kievit.

Sipas tij, nuk ka prani të madhe ushtarake në kryeqytetin ukrainas, por grupe diversante ruse janë aktive në zone

Ushtria ukrainase thotë se 3500 ushtarë rusë janë vrarë deri më tani dhe 200 të tjerë janë marrë peng. Në postimin e tyre në rrjetin social Facebook thuhet se Rusia ka humbur edhe 14 avionë , 8 helikopterë dhe 102 tanke.

Por Moska nuk ka bërë asnjë koment mbi viktimat. Mijëra banorë janë larguar nga vendi. OBK thotë se janë mbi 100 mijë.

Efekti i parë i sanksioneve, Franca ndalon anijen ruse të mallrave

Një anije që dyshohet se i përkiste një kompanie ruse të shënjestruar nga sanksionet, është efekti i parë konkret i hakmarrjes së vendosur nga Perëndimi pas sulmit të Moskës në Ukrainë.

Anija e mallrave transportonte makina dhe ishte nisur për në Shën Petersburg. Bllokimi u bë nga autoritetet doganore franceze gjatë një tranziti në zonën Honfleur, në Kanalin Anglez të La Manshit në Normandi. Njësia u ndalua në portin e Boulogne sur Mer. Ambasada ruse në Paris kërkoi një shpjegim të menjëhershëm për incidentin.

Anija tregtare është me gjatësi 127 metra dhe me flamurin rus. Rreth orës 2 të mëngjesit, mjeti iu nënshtrua një kontrolli në zonën e Pas de Calais, pasi doli se kompania e transportit detar mund të kishte një lidhje me interesa në lidhje me sanksionet kundër Moskës. Anija me 20 marinarë u detyrua të nisej drejt Boulonjës.

Kievi në shtetrrethim nga ora 17:00-08:00

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko ka shpallur një orar të ri për shtetrrethimin e kryeqytetit ukrainas.

Kështu, Kievi do të jetë nën shtetrrethim nga ora 17:00 deri në orën 08:00 sipas orës lokale.

Vendimi hyn në fuqi ditën e sotme dhe zëvendëson orarin e mëparshëm të shtetrrethimit që fillonte nga ora 22:00 deri në 07:00.

“Të gjithë civilët në rrugët gjatë orës policore do të konsiderohen si anëtarë të grupeve të kabotazhit dhe zbulimit të armikut”, ka shkruar në Twitter kryebashkiaku i Kievit, Klitschko.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes në Moskë, njoftoi se ushtria ruse ka pushtuar qytetin Melitopol, në jugperëndim të Ukrainës, afër Krimesë. Qeveria ruse gjithashtu pretendon se ka shkatërruar “821 objektiva ushtarakë” në Ukrainë, duke përfshirë.

Ndërkohë, eksodi i refugjatëve ukrainas në Rumani vazhdon, veçanërisht në pikën kufitare Porubne-Siret, ku televizionet lokale folën për një radhë të gjatë 15 km gjatë natës.

Sot Ministria e Jashtme e Bukureshtit ka ftuar popullatën të përdorë edhe kalimet e tjera.

Një valë e re ardhjesh është planifikuar për ditën e sotme. Familjet në veçanti po largohen nga Ukraina.

Media raporton shumë raste të burrave që shoqërojnë gratë dhe fëmijët e tyre në kufi dhe kthehen për të luftuar kundër rusëve. Shumë prej tyre vijnë në këmbë nga qytetet fqinje. Dhe nga popullata priten me vakte të ngrohta.