Krejt çka dihet për vrasjen e shumëfishtë që tronditi Gjilanin

Një ngjarje e rëndë ka tronditur banorët e lagjes “Bujanina” të Gjilanit, pasditen e së martës.

Policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri, ndërkaq me të arritur në vendngjarje, kanë kuptuar se bëhet fjalë për vrasje të rëndë.

Pesë trupa të pajetë u gjetën në shtëpinë e familjes Bllaca. Një armë zjarri u gjet në dorën e Valdete Bllacës, e cila sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka vrarë nënën Hanifen, babain Zeqirin, dy vëllezërit Blerimin e Fisnikun, e më pas edhe veten.

Në një konferencë për media ku u deklaruan zyrtarë të policisë, prokurorisë dhe Inspektoratit Policor të Kosovës,  u tha se dyshohet se zyrtarja policore ka kryer vrasjen me revolen e saj zyrtare të policisë.

Megjithatë fqinjët kanë treguar një arsye që mund të ketë çuar tek vrasja, shkruan Insajderi.

Zyrtarja policore, Valdete Bllaca, e cila dyshohet se vrau katër anëtarët e familjes dhe veten, ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës që 18 vjet.

Merr vesh se fillimisht Bllaca ka punuar në Prishtinë, në Qendrën e Thirrjeve dhe se para pesë vitesh është transferuar në Gjilan.

Ajo dyshohet se ishte degraduar për shkak të problemeve psikike.

Ndryshe, në vendin e ngjarjes përveç policisë, prokurorit kujdestar dhe mjekëve, kanë arritur edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, drejtori i Departamentit për Operacione, Afrim Ahmeti, dhe drejtori i Departamentit për Hetime, Riza Shillova.

Prokuroria hedh poshtë një version të ri që po qarkullon rreth vrasjeve të sotme në Gjilan.

Fqinjë të familjes Bllaca kanë thënë se ishte djali i madh Blerimi ai që kishte shtënë drejt prindërve dhe vëllait Fisnikut.

Dëshmitarët kanë deklaruar se para orës 13:00 e kanë parë Valdeten duke shkuar në shtëpinë e familjes së saj. Sipas tyre, ajo e kishte vrarë më pas vëllain Blerimin dhe në fund kishte bërë vetëvrasje.

Në vend të ngjarjes ka shkuar edhe kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Haziri ka thënë se është e hidhur ajo që ka ndodhur sot në Gjilan, teksa ka apeluar tek mediat që mos të merren versionet jozyrtare.

“Është e rëndë të dalin versione të tjera nga kjo tragjedi dhe ju lutem mos i publikon përveç atyre që janë zyrtare. Djemtë kanë qenë veprimtarë dhe të angazhum, nuk ka të bëjë me gjendjen sociale. Vetëm prokuroria i jep detajet zyrtare”, ka theksuar Haziri./Insajderi.com