“Krejt” bota e uroi për fitore Edi Ramën, por jo edhe Osmani e Kurti!

Mungesa e durimit të ndërsjellë i ka shquar takimet mes tyre.

Kjo shpërfillje midis Edi Ramës dhe Albin Kurtit po del se po vazhdon edhe tani kur të dy i kanë rimarrë pozitat drejtuese në qeveri, dhe atë me shumicën e vendeve në Kuvend.

Në fakt është kryeministri kosovar që nuk e ka uruar ende homologun nga Tirana për fitoren në zgjedhjet e 25 prillit.

Ani se Rama e pati uruar me 15 shkurt, një ditë pas fitores në zgjedhje, dhe më 23 mars, ditën e marrjes së detyrës. Te ky telegrami i fundit ia kishte shprehur ‘dashurinë’ edhe me pak shkrim dore.

Veç tij, fitoren Partisë Socialiste nuk ia uroi as presidentja Vjosa Osmani e cila në vizitën e parë në Shqipëri, si presidente në detyrë, nuk kishte dalë fare me Edi Ramën në konferencë.

E këto veprime po shihen jo dashamirëse kombëtarisht nga Avni Klinaku i cili sheh një rivalitet politik mes Ramës dhe Kurtit.

Nga zyra e Albin Kurtit nuk kanë dhënë ndonjë arsye, porse nga Presidenca Klan Kosovës i kanë thënë se mos-urimi ka ndodhur si shkak që ende nuk ka certifikim të rezultateve.

Por, Rama ka miqësi të ngushtë më ish-presidentin Hashim Thaçi të cilin e përmendi disa herë gjatë fushatës, ndërsa të martën bëri me dije se pranoi një letër urimi që ai ia shkroi nga paraburgimi në Hagë.