LDK

Krasniqi për kërcënimet ndaj zyrtarëve të LDK-së: Janë më shumë me motive psikiatrike se sa politike

Javën e kaluar në media u raportua se kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe tre deputetët e kësaj partie ishin pjesë e një plani për atentat fizik.

Lidhur me këtë çështje profesori universitar, Milazim Krasniqi, tha se këto kërcënime për atentate janë më shumë me motive psikiatrike, se sa kërcënime politike.

“Unë besoj që janë më shumë motive psikiatrike se sa politike, pra mendoj që njerëzit që kanë çrregullime psikike, mendoj që mund të zgjidhin problemet me vrasje politike, përndryshe problemet me vrasje politike ka tentuar t’i zgjidhë Serbia, por nuk ka pas kurrë sukses, për shembull me vrasjen e vëllezërve Gërvalla, Kadri Zekes, të Hadrit edhe personaliteteve të tjera, Enver Malokut e kështu me radhë, Serbia vetëm sa e ka radikalizuar popullin shqiptar, për ta refuzuar gjendjen e okupimit dhe kjo ka çuar pastaj në luftë çlirimtare, pra çdokush që mendon politikisht e di, që vrasjet politike ose kërcënimet politike vetëm sa e bëjnë më të keqe gjendjen dhe kurrë nuk ofrojnë zgjidhje”, tha Krasniqi për Ekonomia Online.

Krasniqi tha se të gjithë liderët politikë që eventualisht kanë më shumë opozitarizëm, mund të bëhen traget i fanatikëve të partive të tjera.

“Në planin personal e kam pak të vështirë ta them por mendoj që të gjithë këta liderët politikë që eventualisht kanë më shumë si me thënë opozitarizëm, njëfarë mënyre mund të bëhen traget i fanatikëve të partive të tjera, mund të mos jetë bash diçka shumë serioze, sepse ende organet e sigurisë nuk kanë një qëndrim të qartë por nuk ka logjikë që njerëzit e tillë të një opozite shumë konstruktive, të targetohen për atentate, sepse po të shikoni edhe opozitarizmin edhe të LDK-së edhe të PDK-së në këtë periudhë është një opozitarizëm shumë konstruktiv, ata më shumë përpiqen që ta ndihmojnë procesin politik edhe Kosovën se sa që kanë ndonjë agjendë për ta rrëzuar Qeverinë, në fakt nuk kanë fare agjendë për t’a rrëzuar Qeverinë, prandaj nuk ka asnjëlloj arsye që të konsiderohen si armiq të Qeverisë, normalisht nuk përjashtohet mundësia e fanatikëve, të sëmurëve psikik që mund të kenë ide të marra, por në planin politik unë besoj që edhe opozita edhe Qeveria ose Lëvizja Vetëvendosje, megjithatë kanë kanale të komunikimit edhe të bashkëpunimit, veçmas në Parlament, kështu që nuk ka ndonjë lloj armiqësië ndërmjet tyre” tha ai.

Me temën e kërcënimeve, profesori Milazim thekson se publiku ngarkohet shumë.

“Po them po ngarkohet jashtë mase publiku me këtë temë”, tha ai.