Krasniqi për “draft-vizionin” e Kurtit për Asociacionin: Duhet të merret me substancën, jo me formën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka degraduar në tërësi procesin e dialogut.

Sipas tij, qëllimi i tij ka qenë për marrëveshje finale me njohje reciproke në qendër, por që ka rezultuar me “marrëveshje të përkohshme”.

“Kurti nuk është duke kryer asnjë detyrë që duhet të kryejë realisht, e ka denigruar procesin komplet, po flasim vetëm për pasojat, pasoja të gabimeve të njëpasnjëshme që na kanë sjellë marrëveshjet, hajde po i themi marrëveshje, sepse po ju duhet me qenë marrëveshje. Unë këtë e shoh problem, sepse duhet të ketë qartësim, është transformuar për të keq ky proces. Duhet ta ndërrojë për të mirë, qëllimi ka qenë marrëveshje finale gjithëpërfshirëse me njohje reciproke në qendër, jo marrëveshje e përkohshme”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se është krijuar një show pa asnjë nevojë nga ana e Qeverisë, në lidhje me shkarkimin e ekipit menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit, sepse sipas tij, është dashur të shkarkohej që në fillim.

“Më ka befasuar njëfarë tendence të krijohet një show pa asnjë nevojë, pse nuk u shkarkua në fillim ekipi menaxhues nëse qenkan duke punuar për Serbinë, në momentin që një instancë e Kosovës e emëron një të tillë, ka mundur pastaj edhe të ndryshohet, prezantimi është dashur të bëhet në emër të Qeverisë së Kosovës. Marrëveshja e parasheh që ekipi menaxhues punon për Kosovën, këta e kanë komplikuar situatën, drafti nuk është dashur të shkonte në Bruksel, por kur e dërgon Albin Kurti, pse duhet të presë çka po i servojnë të tjerët”, ka vijuar ai.

Ndërsa për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Krasniqi ka thënë se për fjalën “Draft-vizion” të cilën e ka propozuar Kurti për Asociacionin, nuk e ka dëgjuar asnjëherë më parë.

“Draft-vizion” për zbatimin e nenit 7, është mirë të konsultohemi me gjuhëtarë, nuk e kam dëgjuar që ka, është fluskë e re e sapunit, na pati thënë që pa disa kushte nuk ka Asociacion, edhe me këto 11 pika harrohen kur të bëhen veprimet. Përfundojnë fjalët, parullat, kur të jepet propozimi për draft – statutin e Asociacionit, do t’ia shkruajë dikush”, ka theksuar Krasniqi.

Ai ka thënë se Qeveria duhet të merret me substancën e jo me formën sa i përket marrëveshjes me Serbinë, specifikisht te neni 7 ku flitet për Asociacionin.

Krasniqi si problem e ka konsideruar nenin 7 të marrëveshjes, ku sipas tij, ka shumë fjali problematike, të cilat nuk duhet të bëhen pa u dhënë aprovimi nga Gjykata Kushtetuese.

” Frika ime është që marrëveshja që është pranuar nga Kurti, veçanërisht në nenin 7, e hap rrugën për një status të Autonomisë politike për komunitetin serb, ekstraterritorialitet për kishën serbe. Nuk ka qenë problem marrëveshja e 2013, e kanë siguresën kushtetuese, kur gjykata thotë që është në pajtim me kushtetutën, nuk ka ndonjë problem. Neni 7 është problemi thotë që duhet të krijohet Asociacioni, e quajnë edhe vetëmenaxhim, këta merren me formë, ndërsa jo me substancë. Janë dy-tri fjali problematike, shpresoj që nuk do të bëhet Asociacioni pa e kaluar aprovimin e Gjykatës Kushtetuese”.