Profesori universitar dhe publicisti, Milazm Krasniqi, ka komentuar aktakuzën e Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Krasniqi, ka shkruar se inicimi i ngritjes së aktakuzës nga prokurori i Dhomave të Specializuara kundër dy figurave kyçe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit e Kadri Veselit, është fat i keq.
Postimi i tij;
KOSOVA FATKEQE. Ky nuk është vetëm titulli i librit tim më të ri që është në shtyp. Ky është realiteti shumë shekullor i këtij vendi. Ky është realiteti edhe i ditës së sotme. Pse? Sepse inicimi i ngritjes së aktakuzës nga prokurori i Dhomave të Specializuara kundër dy figurave kyçe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit e Kadri Veselit, është fat i keq i këtij vendi fatkeq. Ky proces nuk ka të bëjë vetëm me emrat e këtyre dy individëve. Nuk ka të bëjë as veëtm me të kaluarën. Në fakt, po të synohej drejtësia, me përparësi absolute do të adresoheshin krimet e zyrtarëve serbë të asaj kohe, disa nga të cilët janë edhe sot drejtues të Serbisë. Kjo ndjekje ka të bëjë me fatin e këtij shteti: ka rrezik që Kosova tashmë është shpallur shtet i dështuar dhe është dënuar me zhbërje. Natyrisht, me zhbërje të programuar.







