Krasniqi: PDK do të ndjekë deri në fund çështjen e zarfeve të dyshimta në Dragash

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka paralajmëruar se kjo parti do t’i shkojë deri në fund çështjes së votave për Komunën e Dragashit.

Ai ka thënë se në rast të kthimit të përgjigjes negative nga PZAP lidhur me zarfet e dyshimta me postë nga diaspora, atëherë do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore deri në fund.

“Ka bazë për hetime nga prokuroria sepse do të ishte e papranueshme që një proces i mirë zgjedhor të dëmtohej nga një formë e tillë e organizimit, e cila e shkel legjislacionin në fuqi, pasi çdo qytetar e ka të drejtën e votën të pacenuar. Ne do të ndjekim rrugën ligjore dhe do të shkojmë deri në fund”, u shpreh Krasniqi, për Klan Kosova.

PDK-ja doli e para në Dragash sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, por ishin votat me postë të diasporës ato të të cilat përmbysën rezultatin në favor të kandidatit të LDK-së, duke e bërë fitues të zgjedhjeve të 17 tetorit.

PDK ka dërguar ankesë në PZAP pasi dyshohet se zarfet e votave nga diaspora janë plotësuar nga një person i vetëm dhe si së tilla nuk duhet të përfshihen në rezultatin zgjedhor.