Krasniqi numëron “defektet” e vendimit të Kushtetueses për Arifin

Albert Krasniqi nga DemokraciPlus duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për votën e deputetit Etem Arifi në rastin e formimit të Qeverisë Hoti dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të reja, ka numëruar disa pika të cilat i ka cilësuar si defekte të vendimit.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese në rastin për Arifin ka dështuar të ofrojë argumente logjike.

Të hënën Kushtetuesja vendosi se vota e Arifit për zgjedhjen e Qeverisë Hoti ishte e pavlefshme dhe çoi vendin në zgjedhje të parakohshme. Vota e Arifit kishte qenë vendimtare për zgjedhjen e Avdullah Hotit kryeministër më 3 qershor. Sipas vendimit, një person i dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, s’mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvend.

Në pikën e parë në shkrimin e tij, Krasniqi ka thënë se gjykata në vendimin e saj ka dështuar të bëjë dallimin mes kritereve për kualifikim të kandidatëve për deputet me humbjen e mandatit të deputetit, të cilat i trajton si çështje të ndërlidhura.

Sipas Krasniqit, Kushtetuesja i ka dhënë epërsi juridike ligjit në raport me Kushtetutën. Sipas tij, është shfuqizuar neni 45 i Kushtetutës “për të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes” për të fuqizuar nenin 29 (q) të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Neni 45 i Kushtetutës thekson se “çdo shtetas i Kosovës që ka arritur moshën 18-vjeçare, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjedhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor”, ndërsa neni 29 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme thotë se “Cilido person emri i të cilit paraqitet në Listën e Votuesve është i aftë për certifikim si kandidat përveç: q)i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit”.

Krasniqi më tej ka thënë se Kushtetuesja ka vendosur në mënyrë të pasafatshme për certifikimin e kandidatëve për deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe verifikimin e mandatit të deputetëve. Sipas tij, vendimi i Kuvendit për verifikim të mandateve është dashur të kontestohet brenda tetë ditësh e jo pas gjashtë muajve.

“Kjo shpjegon edhe arsyen e mbajtjes së seancës publike përmes së cilës iu mundësua parashtruesit të kërkesës të bëjë ndryshimin e shënjestrës së kontestuar nga ajo që fillimisht kishte paraqitur me shkrim”, ka shkruar ai.

Krasniqi po ashtu ka thënë se anulimi i votës së Arifit bie ndesh me praktikën e vendosur nga vetë Gjykata, duke potencuar rastin e votave të pranuara me postë jashtë afatit ligjor, me të cilin nuk anuloi rezultatin, por vetëm qartësoi mënyrën e veprimit për zgjedhjet e ardhshme edhe pse e shpalli kundërkushtetues vendimin e Gjykatës Supreme.

Në pikën e fundit, atë të pestë, Krasniqi ka thënë se gjykata u bazua në paragraf jorelevant të Raportit të Komisionit të Venedikut, “përderisa i njëjti Raport përcakton se kufizimi i të drejtës së pjesëmarrjes në zgjedhje duhet të jetë një masë proporcionale, që kërkon të bazohet në natyrën e veprës penale, qëllimin, gjatësinë e dënimit dhe ashpërsinë e veprës. Këto elemente Gjykata nuk i morri parasysh”.

Me vendimin e Kushtetueses, vendimet e qeverisë të marra deri tash mbeten në fuqi, ndërsa Qeveria mbetet në detyrë.

Me vendimin e Kushtetueses është krijuar edhe një debat i ri nëse deputetët e Vetëvendosjes, të dënuar në fund të 2018-s me kusht, a kanë të drejtë të kandidojnë për deputetë apo jo.