Krasniqi në tryezën e Renew Europe, kërkon mbështetje për liberalizimin e vizave për Kosovën

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka njoftuar se sot ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga grupi Renew Europe, në mesin e shumë përfaqësueseve të partive liberale dhe të shoqërisë civile nga rajoni.

Krasniqi ka thënë se bashkë me të tjerët kanë diskutuar për Ballkanin Perëndimor, sfidat dhe proceset integruese e rajonit. Ai ka thënë se nga të pranishmit ka kërkuar mbështetjen për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Në këtë takim, ku pjesëmarrës dhe folës ishin komisionerë, eurodeputetë dhe zyrtarë të tjerë të lartë të BE-së, ritheksova rëndësinë dhe urgjencën e garantimit të një perspektive të sigurtë evropiane për shtetet e Ballkanit Perëndimor.  Duke përshëndetur vendimin e sotëm të ambasadorëve të vendeve të BE-së për të çuar përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, kërkova nga të gjithë të pranishmit që të ndihmojnë që ky proces të përmbyllet sa më parë edhe në institucionet e tjera të BE-së. Orientimi euro-atlantik i Kosovës është vendimi dhe qëndrimi ynë i palëkundur, për të cilin jemi thellësisht të përkushtuar prej vitesh!”, ka njoftuar kryetari i PDK-së.