Krasniqi: Mjetet shtesë për pensionistët në kohë fushate, rast tipik i abuzimit të pushtetit

Analisti Albert Krasniqi ka bërë me dije se vendimi i Qeverisë në kohë fushate për dyfishimin e pagesave për skemat social dhe shtesat për pensionistët është rast tipik i abuzimit me resurset shtetërore për përfitime të partisë në pushtet.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në këtë mënyrë dëmtohet procesi zgjedhor përmes krijimit të pabarazisë zgjedhore me partitë tjera në opozitë.

Postimi i plotë i Krasniqit:

Vendimi i Qeverisë – në kohë të fushatës zgjedhore – për dyfishimin e pagesës për përfituesit e skemës së ndihmës sociale për dy muaj; dhe për ndarjen nga 100 euro shtesë për pensionistët për një muaj; është rast tipik i abuzimit me resurset shtetërore për përfitime të partisë në pushtet. Kësisoj, dëmtohet procesi zgjedhor përmes krijimit të pabarazisë zgjedhore me partitë tjera në opozitë.Aq më keq, kur për forma të tilla të abuzimit keni kritikuar qeveritë e kaluara – keni kërkuar mbështetje për të vepruar ndryshe – dhe tani kur e keni rastin, e bëni pikërisht të njëjtën. Ka mbetur vetëm edhe të premtohet që Zhegra dhe Zhuri do të bëhen komuna.