Komuna e Malishevës

Krasniqi: Malisheva po persekutohet nga Qeveria Kurti

Komuna e Malishevës as në vitin 2024 nuk ka marrë përkrahje nga niveli qendror. Madje nënkryetari i kësaj komune, Vesel Krasniqi, thotë se malishevasit dhe Malisheva po persekutohen nga Qeveria Kurti.

Ai thotë se përkrahje ka pasur vetëm vitin e kaluar me një shumë simbolike. 

Veseli këtë e sheh si “luftë” politike ndaj komunës së Malishevës dhe disa komunave që nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje. 

“Ne kemi bërë edhe deklaratat tona komuna e Malishevës nuk është mbështetur me asnjë projekt edhe për vitin 2024. Kemi pas një shumë solide në vitin 2023 diku rreth 100 mijë euro, ndërsa për vitin 2024 nuk është ndarë asnjë projekt as një cent deri më tani. Kemi pas thirrje nga ministrat e linjës për bashkëfinancim të projekteve të caktuara. Ne vazhdimisht edhe vitin e kaluar edhe këtë vit kemi dorëzuar projekte mirëpo deri më tani nuk kemi asnjë përgjigje nga ana e tyre, kjo shihet një luftë e brendshme politike ndaj komunës së Malishevës dhe disa komunave tjera të cilat nuk udhëhiqen nga VV. Mendoj se është një persekutim i komunës së qytetarëve të Malishevës në këtë rast sepse edhe ata janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe ata i paguajnë taksa, tatime këtij vendi qoftë nga fusha e biznesit apo si qytetarë dhe sigurisht se Qeveria e Kosovës do i trajtojë të barabartë të gjitha komunat dhe gjithë qytetarët e Republikës së saj”, thotë Veseli. 

Numri dy i Malishevës thotë se përkundër kërkesave të vazhdueshme, nuk kanë marrë përgjigje pozitive. Ai përmend edhe dikasteret që kanë ndihmë për bashkëfinancim të përpjetëve.

“Po vetëm këtë muaj që lamë pas ne i kemi dorëzuar diku nëntë projekte të cilat sigurisht se janë projekte të mëdha me bashkëfinancim kuptohet dhe ne deri në këtë moment, nuk kemi asnjë përgjigje. Presim që të paktën kësaj radhe Qeveria udhëhiqet nga kryeministri Kurti të reflektojë tek ministrat e tij që të ndahet buxhet edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thotë tutje Veseli. 

E nga buxheti total prej 23 milionë euro që i ka Malisheva, 6 milionë prej janë për investime kapitale. Kjo shumë thotë se do ta transformojë Malishevën për të mirë. 

“Buxheti i komunës së Malishevës sivjet rreth 18 milionë ndërsa vetëm për investime kapitale kemi diku 6 milionë euro për vitin 2024 shumë e cila nga projekte të cilat ne jemi duke i zbatuar në komunën e Malishevës nuk mjafton sigurisht ne kemi hapur shumë projekte në komunën e Malishevës ku jemi duke ndryshuar infrastrukturën bazike dhe jemi duke dhënë një pamje të mirë të paktën duke synuar të barazohemi edhe me disa qendra të mëdha, komuna të mëdha dhe veç kemi filluar që dy vite është transformuar. Një pjesë e Malishevës jemi në vazhdimësi edhe të transformimit të pjesëve tjera kështu mendoj që po të kemi një mbështetje edhe nga niveli qendror ne po në vitin 2025/26 do të mbyllim një qarkorë të investimeve bazike të cilat vërtetë do ta transformonin Malishevën apo siç ne i ke i premtuar qytetarëve”, u shpreh ai.